Muzetë e Gjirokastrës, rikthehen dy hapësira për t’u vizituar

3 Nëntor, 2022 - 10:00 pm

Pas gati një viti restaurimi dy muze të reja i janë rikthyer Gjirokastrës për t’u vizituar.

Muzeu i dikurshëm etnografik po risillet me një qasje tjetër orientuar nga teknologjia.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës.

Shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së tij, duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.

Vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publike dhe dy private.

Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm.

Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike, kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim  dhe konservim.

Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 145 mijë vizitorë./Top Channel/ KultPlus.com

Të ngjajshme