23 Janar, 2024 - 7:00 pm
Në javën e 88-vjetorit të lindjes së korifeut të letrave shqipe Ismail Kadare, në Muzeun “Kadare” në qytetin e Gjirokastrës, është ndërmarrë një nismë e veçantë. Tashmë në mjediset e muzeut do të transmetohen filma dokumentarë apo prodhime të tjera kinematografike që kanë në qendër vlerat dhe traditat shekullore të qytetit të gurtë. Kjo iniciativë pritet të tërheqë interesimin e turistëve, duke e bërë më të larmishme guidën e vizitës në këtë muze.
“Kjo është hera e parë që ndodh në Gjirokastër dhe pikërisht e filluam tek kjo Shtëpi e Kadaresë për të ngjallur interesin dhe për të mbrojtur këtë traditë që e kemi trashëguar nga të parët tanë, traditë e cila ruhet nga Organizata Botërore e UNESCO-s,” Anastas Lako, specialist i kinemasë në Gjirokastër
“Në këtë javë kaq të rëndësishme për muzeun kur ne festojmë 88-vjetorin e shkrimtarit, i është bashkangjitur edhe një nismë në lidhje me pjesën e transmetimeve të projeksioneve dhe të dokumentarëve që i përkasin traditës së Gjirokastrës, kjo shtoi një interes akoma më të mirë për vetë vizitorët, për muzeun dhe gjithashtu edhe për guidat”, Vikjana Nakaj cicerone në muzeun “Kadare”.
Në prag të 88 vjetorit të lindjes së Kadaresë në Gjirokastër janë duke u organizuar një sërë aktivitetesh të cilat kanë në qendër jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të madh. Ismail Kadare ka lindur në 28 janar 1936 ndërsa fëmijëria dhe rinia e hershme, që i kaloi në vendlindje vlerësohet se kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në veprën letrare të Kadaresë./KultPlus.com