22 Mars, 2023 - 9:00 am
Muaji mars ka shënuar një rritje të numrit të turistëve të huaj në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës.
Në këtë fillimjave Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e kanë vizituar një grup turistësh nga Japonia, të cilët janë njohur me historinë dhe traditat shqiptare.
“Pas 3 vitesh mungese për shkak të pandemisë në këtë muze janë rikthyer grupet e organizuara me turistë japonezë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë”, tha për ATSH-në drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik, Mehdi Hafizi.
Hafizi theksoi se “vetëm në 3 javët e para të marsit ky muze është vizituar nga rreth 2000 turistë. Gjatë marsit është shtuar numri i turistëve me grupe të organizuara si amerikanë, italianë, spanjollë, gjermanë, etj”.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh/KultPlus.com