28 Shtator, 2019 - 6:30 pm
Realizohet projekti “Udhëtim i Prekshëm”, që lejon fëmijët me probleme shikimi të prekin objektet e Muzeut Historik Kombëtar.
Aktiviteti i sotëm kishte të bënte me vizitën e planifikuar në Muzeun Historik Kombëtar nga ana e nxënësve më aftësi të kufizuar në shikim. Fëmijët e Institutit “Ramazan Kabashi”, mundën të prekin objekte origjinale të ekspozuara në muze. Objektet e paracaktuara për t’u prekur ishin të siguruara, fiksuara dhe të sigurta nga dëmtime të mundshme.
Moment tjetër i rëndësishëm në aktivitet ishte prezantimi fëmijëve me aftësi ndryshe të “Figurave të Prekshme” (varianti i prekshëm i figurave pamore). Nëpërmjet këtyre figurave me reliev, u prezantuan objekte muzeore të cilat nuk mund të prekeshin ose nuk janë të ekspozuara.
“Figurat e Prekshme” janë një nga metodat e suksesshme që muzetë kanë filluar të përdorin në drejtim të personave me aftësi të kufizuara në shikim. Muzeu Historik Kombëtar është mikpritës, i ngrohtë e gjithëpërfshirës, i arritshëm dhe pozitiv për njerëzit me aftësi të kufizuara, për ta vizituar dhe për të punuar në të.
Aktivitet i sotëm pati për qëllim prezantimin e vlerave të trashëgimisë të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve.
Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Europiane.
Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore kanë objektiv për të rritur ndërgjegjësimin për pasurinë dhe diversitetin kulturor të Europës, të nxisin interesin për trashëgiminë kulturore dhe të inkurajojnë tolerancë më të madhe për kulturat e tjera në të gjithë Europën. /KultPlus.com