Gati 20 mijë vizitorë admiruan thesaret e Muzeut Kombëtar “Onufri” gjatë shtatorit

29 Shtator, 2024 - 2:51 pm

Gati 20 mijë vizitorë admiruan thesaret e Muzeun Kombëtar “Onufri” gjatë muajit shtator.

Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerëson interesin në rritje për pasurinë e jashtëzakonshme të artit ikonografik në Muzeun Kombëtar “Onufri”.

Interesi i madh për këtë trashëgimi, shprehet Gonxhja, ka bërë të mundur që vetëm gjatë muajit shtator gati 20 mijë vizitorë të kenë admiruar thesaret që mban ky muze.

Koleksioni i Muzeun Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht 1968 u zbuluan dy kodikët e famshëm të Beratit, “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus”) i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX pas Krishtit.

Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme