12 Qershor, 2020 - 12:16 pm
Xhemile Hysenaj
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot ka organizuar hapjen e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Ky burg shpalos një histori të dhimbshme, historinë e popullit tonë, përmes të cilit kaluan shumë personalitete që u torturuan për kohë të gjatë në dhomat e atij burgu.
Hapjen zyrtare të burgut e bëri kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili e quajti një moment të veçantë hapjen e këtij burgu, duke thënë se me të drejt është quajtur ‘Burgu i ideve’, pasiqë aty edhe kanë nisur idetë për levizjet e rezistencës së Kosovës.
“Është ndjenjë e veçantë dhe e përjeton kur hyn nga një çeli në tjetrën. Ky është burgu i ideve. Le të jetë kjo një qendër që të gjithë qytetarët e Kosovës ta përjetojnë atë që kanë kaluar njerëzit gjatë kohës sa ishin të burgosur”, u shpreh tutje Hoti për të pranishmit.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi shprehej se të burgosurit e këtij burgu, në periudha të ndryshme kanë qenë dhe janë bazament i rezistencës.
“Ne e kemi paraparë që për këtë ditë ta ofrojmë për vizitorët ta hapim. Burgu është ndërtuar në vitin 1945 në kohën e Rankoviqit, është ndërtuar nga të burgosurit politikë. Kjo tregon për historinë e popullit tonë sa kemi qenë të fortë. Çka është specifike, burgu është i ndërtuar në formën harkore, sepse ka qenë urdhër Aleksandër Rankoviqit që me qenë bashkë me hetuesinë apo UDB-në. Kemi këtu individë që me vjet kanë qëndruar në çeli. Kjo do të jetë pjesë integrale e historisë tonë”, deklaroi Dumoshi.
Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës, është ndërtuar në fund të viteve 1940-50, në kohën kur është ndërtuar edhe ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesa e ish-Komitetit në Sheshin Nënë Tereza. Disa shënime të tjera tregojnë se në këtë zonë para ndërtimit të burgut ka ekzistuar një shkollë e vjetër e muzikës, e cila më pas është transformuar në administratë policore.
Në rastin e burgut, tema që trajtohet është shumë e rëndësishme, por edhe komplekse sepse ngërthen burgimet politike, përndjekjet, rezistencën por edhe gjithë organizimin politik për liri të shqiptarëve në Kosovë.
Ndërkaq në një pjesë të murit, jashtë burgut, qytetarët dhe personalitete të njohur, vendosën mbishkrime të ndryshme dedikuar të gjithë atyre që dikur kanë vuajtur tortura të mëdha në dhomat e këtij burgu.
Në muret e këtij burgu vareshin disa nga fotografitë e figurave më të mëdha që Kosova ka pasur përgjatë historisë së saj në luftën për liri e pavarësi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala e Adem Demaçi ishin disa nga këto figura. Në ato mure akoma gjendeshin lutje e gëvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë.
Ish-burgu i Prishtinës planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në muze. / KultPlus.com