16 Korrik, 2021 - 11:25 pm
Dy muaj para hapjes së muzeut të shumëpritur të Çmimeve Oscar në Los Anxhelos, Kana hodhi sot bazat për Muzeun e saj Ndërkombëtar të Kinemasë, me një hapje të planifikuar për në vitin 2028.
“Ambicia jonë është që të kemi një Beaubourg ose një Guggenheim të kinemasë”, tha për shtypin kryetari i bashkisë, David Lisnard, pas nënshkrimit të një marrëveshje tripalëshe me Bibliotekën Franceze të Kinemasë dhe Qendrën Kombëtare të Kinemasë dhe Filmave (CNC), transmeton KultPlus.
I planifikuar në vendin e një ish-qendre sportive, pak larg Pallatit të Festivaleve, ky objekt kulturor dhe turistik synon të arrijë 400 000 vizitorë në vit.
“Punimet priten të fillojnë në 2025 dhe kostoja vlerësohet “midis 150 dhe 200 milionë euro”, shtoi Lisnard, transmeton tutje KultPlus.
Në Kanë, koleksionet e Bibliotekës së Kinemasë do të vendosen në një hapësirë të përhershme prej 2 500 metra katrorë, të plotësuara me 900 metra katrorë të kushtuara festivalit, një studio laboratorike prej 300 metra katrorë për të kuptuar fazat e ndryshme të prodhimit të filmit, një auditor dhe një hapësirë 600 metra katrorë për fëmijët.
Rreth 1 000 metra katrorë do të rezervohen për ekspozita të mëdha të përkohshme. / KultPlus.com