17 Mars, 2023 - 6:30 pm
Shtyhet për herë të dytë afati i dorëzimit të dosjeve të aplikimit për fazën e parë të Konkursit Ndërkombëtar për projektimin e muzeut më të ri në kryeqytet, “Besa”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi përmes rrjeteve sociale se, kjo shtyrje ka ardhur për shkak të kërkesave të shumta, por edhe për t’i dhënë më shumë hapësirë kohore të interesuarve.
Afati i ri i dorëzimit të dosjes së aplikimit për fazën e parë është data 30 mars.
Konkursi ndërkombëtar u çel më 13 shkurt. Muzeu do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, monument kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.
Në konkursin e çelur për këtë projekt, Kryeministri Edi Rama tha se, muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve.
Ky bëhet muzeu i dytë, pas atij të Vlorës, që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./atsh/ KultPlus.com