22 Maj, 2024 - 10:30 pm
Në qytetin e Gjirokastrës është çelur një qendër memoriale dedikuar jetës dhe aktivitetit të disidentes Musine Kokalari.
Muzeu i emërtuar “Muza ime” është vendosur në një prej banesave të familjes Kokalari në qytetin e gurtë. Çelja e tij u mundësua falë iniciativës të familjarëve të Musines dhe organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.
“Ky muze do të jetë për të gjithë dashamirësit e Musinesë, për ata që nuk e njohin dhe për ata që duan ta njohin, Musineja nuk është një figurë apo personalitet që na përket vetëm ne, lokalistëve apo kombëtare, por dimensionet e saj janë shumë të gjëra sesa Shqipëria”, tha Arjeta Kokalari, familjare e Musines.
“Krijojmë një hapësirë për Musine Kokalarin që është pjesë patjetër e trashgimisë sonë, e historisë së gjithë Shqipërisë por edhe një figurë e cila jep mesazhe kaq të forta që janë një inspirim dhe një frymëzim edhe sot”, tha Elena Namani, drejtoresh te “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.
Në mjediset e muzeut janë ekspozuar dëshmi, materiale dhe relike nga jeta dhe aktiviteti në fusha të ndryshme i Musine Kokalarit.
“Shpresoj që ky muze që ju shikoni të pasurohet edhe me materiale të tjera por ajo që është më e rëndësishmja është se këtu është shpirti i Musinesë, nuk është njësoj si muzetë e tjerë ku ciceronët flasin për objektet apo për sendet apo për personazhet, ky muze është vetë Musineja ajo që flet për veten e saj, për jetën e saj, në qoftëse ju do shikoni të gjitha muret janë mbushur me shënime, të cilat janë nxjerrë prej shënimeve të saj por që janë ende të vlefshme dhe bëjnë të reflektojë këdo”, tha Arjeta Kokalari, familjare e Musines.
Synohet që muzeu të shndërrohet në një qendër të organizimit të aktiviteteve dhe tërheqjes së turistëve në Gjirokastër.
“Do bashkëpunojmë për të mbështetur që kjo hapësirë të jetë një hapësirë dialogu, të jetë një hapësirë ku të rinjtë e Shqipërisë dhe jo vetëm të qytetit tonë ta njohin Musinenë, ta njohin atë me gjithë dimensionet e saj”, tha Elena Namani, drejtoresh te “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.
Musine Kokalari është një prej emrave të spikatur të disidencës antikomuniste në vendin tonë ndërsa veprimtaria e saj përfshin edhe përpjekjet për emancipimin e gruas, publicistikën, fushën studimore, etj./TemA/ KultPlus.com