15 Nëntor, 2019 - 8:30 pm
Në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua sot konferenca e Tretë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë: “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”.
Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit.
Punimet e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi dhe nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Minxhozi u shpreh se Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të qëllimit të tij edukues, ndërthur dimensionin numizmatik, historik me atë të edukimit bankar e financiar.
Gjithashtu, ajo theksoi se Banka e Shqipërisë duke qenë prej më shumë se një dekade në edukimin financiar të publikut është tashmë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare në fushën e edukimit, si dhe atyre të muzeve të parasë apo të bankave, duke pasur kështu mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira. Nga ana e saj, u nënvizua se zhvillimet e fundit teknologjike i kanë kthyer muzetë, krahas të tjerash, në qendra informacioni, ku përmes aplikacioneve, filmave, botimeve edukative dhe leksioneve, vizitorët jo vetëm informohen, por gjithashtu përftojnë një përvojë interaktive.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përshëndeti dhe vlerësoi rolin edukues të Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet Muzeut të saj të parasë. Duke prezantuar nismat e fundit të Ministrisë në fushën muzeore, Ministrja Margariti u ndal tek roli i vendeve të memories, të cilat përfaqësojnë një vlerë të shtuar të njohjes së historisë së vendit tonë, pasi dinamizojnë edukimin, si dhe sjellin copëza jete të cilat duhen transmetuar te brezat e rinj për të mos u harruar. Ministrja u shpreh se këto forma të reja për të tërhequr publikun mbeten të një rëndësie të veçantë për të evokuar historinë edhe traditën.
I ftuar i veçantë në këtë konferencë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, prezantoi aktivitetet edukative të Muzeut Historik Kombëtar, të cilat e bëjnë muzeun një vend mikpritës e qendër aktivitetesh për të rinjtë. Koçi gjatë fjalës së tij theksoi se Muzeu Historik Kombëtar është një institucion që dëshmon jo vetëm vlerat historike, artistike dhe kulturore të kombit tonë, por jep edhe hapësirën e nevojshme për hulumtime dhe analiza historike, ndaj objektiv kryesor mbetet forcimi i rolit të tij edukues për brezat. /atsh/ KultPlus.com