Muzeu Etnografik i Krujës, AKT: Vijon restaurimi për nxjerrjen në dritë të pikturave

18 Gusht, 2023 - 11:26 am

Në Muzeun Etnografik të Krujës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, po vijon puna për restaurimin e tij.

Agjencia Kombëtare e Turizmit bën të ditur se “në këtë monument të Kategorisë së I-rë po kryen punimet më të imëta për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve dhe për të nxjerrë në dritë pikturat që zbukurojnë mjediset e brendshme të Muzeut Etnografik të Krujës”.

Prej disa kohësh ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Europian EU4Culture, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.

Ky muze  është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota,  që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme