Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, 20 mijë vizitorë në tetor

5 Nëntor, 2022 - 12:31 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është vizituar nga 20 mijë vizitorë deri në muajin tetor.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Ai thekson se, në rritjen e numrit të vizitorëve, kanë ndikuar edhe disa programe që Muzeu i Artit Mesjetar ka ndërmarrë së fundmi.

Një prej tyre është “Piktori i vogël në muze”, program edukativ, dedikuar moshave të vogla, për të mbjellë dashurinë për artin që në vegjëli. Fëmijët përveç se vizitojnë muzeun, kanë mundësinë të ngjyrosin vizatime nga libri “Ikonat” duke shpalosur spontanitetin fëminor në përzgjedhjen e ngjyrave.

Një tjetër program interesant, është “Edukimi Përmes Kulturës” i cili i dedikohet nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme. Në kuadër të këtij programi janë zhvilluar disa mësime edukative me temën “Shijojmë thesaret e Artit Shqiptar”.

Nxënësit janë njohur me veprat e periudhës Bizantine dhe Postbizantine të ekspozuara në MKAM dhe kanë dëgjuar për piktorët e famshëm mesjetarë Onufrin dhe shkollën e tij, mjeshtrat korçarë, voskopojarë e plot të tjerë.

Qëllimi i këtyre programeve të Muzeut të Artit Mesjetar është njohja me trashëgiminë kulturore, dhe përcjellja ndër breza e kryeveprave të artit pamor./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme