30 Maj, 2021 - 12:00 pm
Në qytetin e Tiranës kohët e fundit janë krijuar shumë institucione apo hapësira atraktive për qytetarët dhe turistët e huaj që vizitojnë kryeqytetin.
Një tjetër atraksion mjaft i veçantë që i është shtuar së fundmi Tiranës është “Muzeu i Gruas”, i cili është një rrugëtim në etapa të ndryshme kohore i gruas shqiptare dhe emancipimit të saj në fusha të ndryshme sociale dhe ekonomike.
Ky muze vjen si një iniciativë private e Elsa Ballaurit, e cila prej shumë vitesh ka qenë një personazh i njohur në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Agjencia Telegrafike Shqiptare vizitoi nga afër këtë muze, ku në një hapësirë modeste e cila mban vlera të mëdha të figurës femërore Elsa Ballauri tregon si nisi ideja për hapjen e tij si dhe pasionin e saj për të koleksionuar objekte të cilat janë përdorur nga gratë në kohë të ndryshme.
“Shpresoj që çdo grua ta gjej veten në epoka të ndryshme ashtu sikurse është ideuar edhe muzeu dhe shpresoj që edhe të gjej dhe të kem sa më shumë burra të entuziazmuar sikurse ju. Është vërtetë e bukur kur njerëzit në një muze gjithmonë mendojnë që komunikojnë bukur me njëri-tjetrin. Kjo ide nisi nga disa rrethana që u poqën në një moment kur unë para disa vitesh mora një çmim si “Pishtari i grave”, i cili u mor nga disa gra në disa vende të botës. Është një çmim i cili duhet patjetër të bëhej diçka në mënyrë personale dhe unë vendosa të bëj muzeun”, tregon ajo për ATSH-në.
Pyetjes se përse ndërtoi pikërisht një muze dhe jo diçka tjetër Ballauri iu përgjigj se, “kjo vjen nga historiku im si koleksioniste që e kam një pasion që në fëmijëri dhe e rritur në një ambient koleksionistësh dhe për më tepër e trashëgoj nga babai im që ka qenë filatelist dhe arkitekt muzeumesh. Këto kanë bërë që muzeu ishte një gjë përmbyllëse për të përfytyruar dhe ndërtova një muze gruaje që ishte gati gati 99 për qind e angazhimit të kohës sime. Kjo ishte për mua shumë e natyrshme”.
“Ka qenë ideja edhe më përpara që koleksioni im të mos jetë për të ndenjur me mua apo ata 5 njerëz. Duhet të ishte për më shumë sepse përveç kësaj, një tjetër shqetësim për jetën e grave ka qenë mosnjohja me to. Askush nuk e njeh sikurse duhet dhe fatkeqësia fillon nga vetë gratë. Historia nuk na ka lënë të tregojmë të vërtetën siç duhet. Komunizmi e sheshoi dhe anashkaloi të kaluarën dhe ne kemi shumë probleme të tjera të cilat kur nuk realizohen na bëjnë të mos njohim veten dhe mos komunikojmë me veten dhe pikërisht kjo na bën më të ftohtë dhe më pak patriotikë. Ky ishte shqetësimi i cili ka ardhur si pasojë e punës time me të drejtat e njeriut për vite me radhë. Kjo bëri që të mendoj që kemi nevojë për muzeun e gruas. Edhe të drejtat e grave evidentohen nëpërmjet tij. Muzeu dhe objektet kanë tjetër vlerë dhe rëndësi”, u shpreh Ballauri.
Mbi objektet e ekspozuara në këtë muze dhe periudhat kur ato datojnë Ballauri tregon për ATSH se, “kam bërë një kronologji që nga periudha e antikitetit sepse e kam parë edhe këtë si mangësi me figurën e gruas nga koha e antikitetit kur ne si zona të fiseve ilire kemi një të kaluar”.
“Kam disa dokumente por jo shumë që tregojnë se çfarë ka ndodhur me gruan e asaj kohe. Kemi gjetje arkeologjike dhe të gjitha bashkë tregojnë se si gruaja ka ndryshuar nga periudha në periudhë dhe se si ajo ka udhëtuar bashkë me historinë. E rëndësishme të mos shohim vetëm se çfarë ka veshur por edhe rolin apo marrëdhëniet me burrin, pozicionin e saj në shoqëri etj. Ky është synimi i muzeut. Nuk është vetëm etnografik për pasurinë e veshjes por më shumë një antropologji më e thellë. Pse pikërisht gruaja është figura kryesore thoni ju? Pyetja është shumë me rëndësi për t’u diskutuar sepse meriton analizë më të madhe. Ka një “pse” të madhe që edhe unë e kam thënë që pse të flasim kaq shumë për gruan kur diskutojmë për barazinë? Pikërisht se barazia nuk ekziston dhe duhet për të zhdukur përfundimisht diskriminimin. Se përse të luftojmë për të drejtat e grave dhe jo edhe të burrave? Pikërisht sepse barazia nuk ekziston dhe burrat i kanë dhënë vetes atributet për të qenë lider. Gratë sikurse shumë grupimesh minoritetesh bëjnë që të kundërshtojnë pikërisht këtë potencë të madhe burrërore. Mendoj që edhe sikur të kishte barazi, prapë ia vlen një muze gruaje sepse mbart shumë vlera. Duhet një vizualitet për atë që kanë bërë gratë në histori. Burrat nuk kanë interes që të nxjerrin në pah ato që kanë bërë gratë në histori, këtu përfshi edhe gratë”, u shpreh Ballauri.
“Shumica e tyre janë të mbledhura në mënyrë instiktive gjatë viteve sepse mua objektet e vjetra sidomos më tregojnë histori. Kjo më ndodh me çdo objekt në tërësi që t’i njoh historinë ku, si dhe pse është përdorur. Ka qenë një hobi nga fëmijëria dhe koleksioni është mbledhur që shumë herët dhe s’kam qenë koleksioniste tipike që i mbledh për t’i shitur. Këtu një pjesë e madhe janë objekte familjare që kanë qenë dhe janë ruajtur nëpër shtëpi. Ato nuk dilnin por që erdhi momenti të zgjidhja objektet që kanë lidhje vetëm me femrën. Këtu nuk është i gjithë koleksioni sepse herë pas here edhe ndryshojnë objektet. Në përputhshmëri me faktorin grua kam siguruar edhe objektet. Ky muze apo koleksioni, tani mund të quhet një institucion”, tha ajo.
“Muzeu është i vizitueshëm pasi ky është edhe qëllimi. Ka projekte dhe për shkollat por më e shpeshta dhe e rëndësishmja është kontakti që kemi me shkollat dhe grupet e të rinjve dhe me rëndësi është që muzeu do të eci nëpërmjet projekteve të ndryshme për të pasur një zë të gruas, jo vetëm të tanishme por edhe për ta njohur atë më gjerë nëpërmjet historisë së gruas”, përfundoi Ballauri. /atsh/ KultPlus.com