Muzeu me identitet të dyfishtë, ndër më të vizituarit këtë sezon në Gjirokastër

4 Dhjetor, 2023 - 6:03 pm

Muzeu etnografik në Gjirokastër përfaqëson një atraksion me identitet të dyfishtë.

Ai njihet si një objekt që koleksionon pasuri të rralla të traditës materiale etnografike por njëkohësisht edhe si shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, figurës që u bë fytyra e diktaturës më të egër në Europë. I restauruar dy vite më parë muzeu është risjellë me një qasje të re për vizitorët qasje e orientuar nga teknologjia. Këtë sezon më shumë se 10 mijë vizitorë në 80% të tyre të huaj e vizituan këtë muze.

Kemi sektorin e zonave etnologjike të Gjirokastrës që diferencohen nga njëra-tjetra për shkak të ndryshimeve me karakter etnik dhe janë të ekspozuara apo ilustruara nëpërmjet kostumeve.

Kemi sektorin e simbolizmit fetar brenda të cilit gjenden objekte të importuara nga kisha e Shën Sotirit, objekte që mbajnë motive të ndikimit fetar. Vizitorët e huaj janë shumë të interesuar për pjesën e simbolizmit fetar pasi kjo pjesë ngjall kërshëri për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Gjirokastër ku bashkëjetojnë tre besime fetare”- tha Iris Shane, cicerone e muzeut.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës. Irisi që udhëheq vizitorët në mjediset e banesës tri katëshe tregon se pyetjet për diktatorin nuk mungojnë por dëshmitë materiale për të janë minimale. Vizitorët shqiptarë do të dominojnë periudhën e dimrit dhe janë ata që kanë kuriozitet të lartë për të dy identitetet e muzeut.

Të huajt e konsiderojnë dhe vlerësojnë sepse është pjesë e historikut të kësaj shtëpie. Shqiptarët kanë edhe më shumë interes për shkak të të jetuarit në dy sisteme por edhe lidhjes historike me vendin tonë. Por ekspozitori i Enver Hoxhës është i përqëndruar më shumë tek lidhja e tij me këtë shtëpi. Ai ka lindur këtu më 1908 dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, kohë kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Më pas u rikostruktuar në këtë lloj arkitekture fillimisht si muze të Luftës Nacional-Çlirimtare por njëkohësisht e bëri të njohur për popullin edhe si shtëpinë e tij të lindjes– tha Shane.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 200 mijë vizitorë./topchanel/KultPlus.com

Të ngjajshme