26 Mars, 2022 - 11:34 am
Në fshatin Gollomboç, komuna e Pustecit, sot u hap Muzeu i Sterjo Spases, shkrimtarit të njohur shqiptar me origjinë maqedonase, i lindur në këtë fshat të vogël të Prespës.
Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Maqedonisë në Tiranë, Danço Markovski, si dhe djali i Sterjos, Ilinden Spase.
Muzeu i Sterjo Spases është pjesë e projekteve Smart_Cul_Tour, i bashkëfinancuar nga BE-ja në kuadër të thirrjes së dytë të programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, 2014 – 2020.
Projekti u zbatua nga pesë partnerë nga dy vendet fqinje, përkatësisht bashkia e Manastirit – partner kryesor, si dhe komuna Pustec, IN “Instituti dhe Muzeu” – Manastir, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore – Korçë dhe Qendra Kulturore Rinore – Manastir, partnerë.
Sterjo Spase lindi në vitin 1914 Gollomboç, njëri nga fshatrat maqedonishtfolës buzë liqenit të Prespës ndërsa vdiq në vitin 1989 në Tiranë. Sterjo shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Më pas nisi punë si mësues në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës, ku nisi të shkruante romanin që njihet shkurt Pse!?. Më vonë nisi një kurs me korrespondencë për pedagogji në Firencë të Italisë, por nuk arriti të marrë provimet e fundit. Me Kutelin, Kokonën dhe Hakiun qe bashkëthemelues i të përkohshmes “Revista letrare” në Tiranë më 15 shkurt 1944.
Për nder të tij, shkolla e vjetër në fshatin Gollomboç, prej nga e ka prejardhjen ai, u shndërrua në hapësirë reprezentative si ekspozitë muzeore me objekte personale të Sterjo Spases.
Tre vite më parë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i dha pas vdekjes çmimin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Atëherë Meta u shpreh se romani i tij i famshëm “Pse” paralajmëroi krijimin e letërsisë bashkëkohore në Shqipëri, duke shtuar se Sterjo Spase është një figurë e rëndësishme jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe Evropë./ KultPlus.com