27 Mars, 2022 - 6:00 pm
Shtëpia e shkrimtarit të njohur Sterjo Spasse nga një rrënojë është kthyer në një muze.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje si ishte dhe si është transformuar kjo shtëpi muze.
“Nga një rrënojë, shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç, është shndërruar tashmë në një muze dinjitoz”, tha Rama.
Kthimi në muze i shtëpisë së Sterjo Spasses është edhe një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Shtëpia e shkrimtarit është pajisur me objekte, të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente.
Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.
Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë iqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). /atsh/ KultPlus.com