6 Janar, 2022 - 3:15 pm
Muzeu Etnografik i Kavajës po i nënshtrohet restaurimit të godinës dhe objekteve, të cilat së shpejti do të kenë një ekspozim më të përshtatshëm.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se rikonstruksioni po kryhet falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture.
“Mbi 810 objekte etnografike të zonës së Kavajës rrezikuan të dëmtoheshin pas tërmetit të nëntorit 2019. Falë programit të Bashkimit Evropian #EU4Culture, Muzeu Etnografik i Kavajës po i nënshtrohet restaurimit të godinës dhe objekteve, të cilat së shpejti do të kenë një ekspozim më të përshtatshëm”, tha Margariti.
Muzeu Etnografik i Kavajës ndodhet në një banesë të bukur rezidenciale, ndërtuar ë vitit 1800 nga familja Arkaxhi dhe e shndërruar në muze në 1971.
Sot muzeu mban rreth 810 objekte të tipologjive të ndryshme që përfaqësojnë stilin e jetesës së Kavajës dhe krahinave përreth.
Muzeu Etnografik në Kavajë është planifikuar të ruajë funksionin si muze duke ruajtur rolin e tij si një pol interesi si për banorët e Kavajës ashtu edhe për turistët që kalojnë kohën në zonat e plazhit të kësaj bashkie dhe bashkive fqinje.
Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tre aspekte: a)stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, b) struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe c) fondi i përgjithshëm etnografik. Karakteristika kryesore e fondit të muzeut etnografik përcaktohet nga një varietet të objekteve të tij dhe të origjinave të ndryshme të tyre.
Veprat artizanale të kompozuara në qeramikë, bakër dhe tekstile nga artizanë vendas, që përfaqësojnë qytetin dhe rajonin, janë të pranishme për tu parë. Gjithashtu ka edhe një koleksion të gjerë punimesh nga rajonet e veriut, verilindjes dhe jugut të Shqipërisë. Elementet e veshjeve tradicionale nga këto rajone dallohen për nivelin e lartë të mjeshtërisë dhe finesës, për pasurinë e zbukurimeve dhe simboleve të shkrira në forma gjeometrike, zoomorfe dhe antropometrike./atsh/KultPlus.com