28 Prill, 2024 - 4:47 pm
Shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani do të shndërrohet në muze për të dokumentuar jetën dhe krijimtarinë e tij.
Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar vajza e shkrimtarit, Teuta Elshani.
“Do të bëhet muze shtëpia familjare e Ymer Elshanit, ku ka jetuar, ku janë dorëshkrimet, fotografitë, rrobat, ashtu siç ka shpëtuar nga lufta. Mendohet edhe disa muaj të fillojë renovimi”, ka thënë ajo për transmetuesin publik.
Ajo ka treguar se këtë ide e ka pasur qe disa vite.
“Kjo ka qenë ide e imja, unë e kam iniciuar. Jam duke u munduar që nga viti 2018, por deri tash s’ka pasur asgjë konkrete”, ka thënë Elshani.
Ymer Elshani u vra në masakrën e Poklekut në Drenas më 17 prill të vitit 1999 bashkë me familjen e bashkëfshatarët e tij. Ai la pas vetes dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane./rtk/KultPlus.com