Shtëpisë-muze të Dritëro Agollit i shtohen të tjera objekte personale të shkrimtarit të madh

5 Shkurt, 2025 - 5:48 pm

 Në shtëpinë-muze të prozatorit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, mbrëmja e djeshme zhurmoi nga vizitat e miqve, adhuruesve e gazetarëve të shumtë, të pranishëm në ekspozitën me dorëshkrimet e letrave të dashurisë mes shkrimtarit dhe njeriut të tij të zemrës, Sadijes.

Të pranishmit e kujtuan të madhin Agolli mes letrave të dashurisë, objekteve personale dhe zërit të tij, që është kudo në shtëpinë ku jetoi me familjen e tij të madhe.

Ishte e bija e Dritëroit, Elona, ajo që kontribuoi me dorëshkrime e objekte të tjera, për këtë ekspozitë.

Drejtoresha e Shtëpive Studio Kadare-Agolli, Anisa Ymeri tha për ATSH-në se me përfundimin e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj, dorëshkrimet, objektet personale etj. do të qëndrojnë në fondin e shtëpisë-muze.

Në shtëpinë e Dritëroit u ekspozuan: veshje të çiftit nga koha e rinisë, kur shkruanin letrat e dashurisë, orët e të dyve, një gjerdan me perla i Sadijes, dy portrete nga Lumturi Blloshmi, një bust i Dritëroit nga Ilmi Kasemi, objekte shtëpiake, si dhe stilografi i tij funksional, me të cilin po shkruhen letra gjatë ekspozitës.

“Të shënojmë stacione të rëndësishme të jetës së shkrimtarit, është misioni ynë, në këtë shtëpi,” u shpreh Anisa Ymeri, duke theksuar se është një ekspozitë e veçantë që mund të vizitohet nga e gjithë familja.

Të ngjajshme