Shtyhet afati i konkursit për Muzeun “Besa”

2 Mars, 2023 - 8:15 pm

Konkursi ndërkombëtar për hartimin e projektit për Muzeun “Besa” ka shtyrë afatet e dorëzimit të fazës së parë.

Konkursi ndërkombëtar u çel më 13 shkurt. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes rrjeteve sociale njoftoi sot se afati u shty deri më 20 mars, për shkak të kërkesave të shumta.

“Kemi ndërmarrë një nismë të re, që na prek të gjithëve: ngritjen e Muzeut “Besa”, një institucion sa kujtese, aq edhe dialogu. Jemi me të vërtetë të lumtur për jehonën që ka gjetur ky lajm edhe në median ndërkombëtare”, është shprehur ministrja Margariti.

Muzeu do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, monument kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.

Në konkursin e çelur për këtë projekt, Kryeministri Edi Rama tha se, muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve.

Ky bëhet muzeu i dytë pas atij të Vlorës që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./ KultPlus.com

Të ngjajshme