7 Maj, 2023 - 5:00 pm
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat ka pritur kohët e fundit një numër të madh vizitorësh, kryesisht të huaj.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, tha për ATSH-në se Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, në periudhën janar- 4 maj, e kanë vizituar 7971 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
“Vetëm në ditët e para të majit ka pasur më shumë se 1000 vizitorë, të cilët kanë qenë spanjollë, gjermanë, francezë, sllovenë etj”, është shprehur Polovina.
Rritja e numrit të vizitorëve është ndikuar edhe nga moti i mirë dhe afrimi i nisjes së sezonit turistik. Megjithatë duhet theksuar se Berati me trashëgiminë e tij kulturore e historike, po njeh një ngritje cilësore dhe të stabilizuar të turizmit, në të gjitha stinët e vitit.
Përtej një turizmi me qëllim çlodhjen, veçanërisht vizitorët e huaj, synojnë njohjen me artin e kulturën vendase, arkitekturën tipike osmane dhe historinë interesante të kësaj zone.
Ndër objektet më të vizituara në këtë qytet, i cili renditet si pasuri botërore e UNESCO-s, mbetet kalaja e Beratit, Muzeu Etnografik, Muzeu Onufri, lagjja Mangalem e Goricë, Teqja e Helvetive etj./atsh/KultPlus.com