Udhëtim në historinë etnografike, rritet interesi për Muzeun e Traditës në Sarandë

24 Shkurt, 2025 - 10:40 pm

Muzeu i Traditës në Sarandë është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj.

Nga viti në vit, numri i turistëve ka ardhur në rritje, ku më së shumti dominojnë moshat e treta dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Ky muze ofron një pasqyrë autentike të trashëgimisë etnografike dhe mënyrës së jetesës së brezave të mëparshëm në bashkitë jugore të Shqipërisë.

Muzeu është i ndarë në dy kate dhe paraqet një koleksion të pasur që përfshin veshjet tradicionale të përditshme dhe festive, mjetet e punës, si dhe elementë të kulturës së të ushqyerit, si sofra dhe aksesorët e saj.

Në vitin 2024, interesi për muzeun është rritur ndjeshëm, duke u përfshirë gjithashtu në paketat turistike të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Përgjegjësja e muzeut, Elda Koçi, shprehet se ky vit ka qenë i mbushur me aktivitete, ndërsa sezoni veror ka shënuar një fluks të lartë turistësh.

“Gjatë këtij viti kemi pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve, përfshirë turistë nga India, Meksika dhe Japonia, të cilët kanë shfaqur interes të veçantë për historinë dhe trashëgiminë e Sarandës. Nëse në vitin 2023 vizitat arritën në 70% të kapacitetit, në 2024 kjo shifër ka shkuar në rreth 75%, duke shënuar një rritje graduale”, thekson ajo.

Grupmoshat më të interesuara për muzeun janë kryesisht të moshës së mesme dhe të tretë, të cilët janë të mirëinformuar dhe të prirur për të njohur më shumë rreth historisë dhe origjinës së qytetit bregdetar.

“Vizitorët tanë janë të interesuar për historinë e Sarandës, prejardhjen e emrit të qytetit dhe ndryshimet që ai ka pësuar ndër vite. Ata vlerësojnë faktin që një qytet kaq i vogël dhe bregdetar ka një muze të pasur me trashëgimi kulturore”, shton Koçi.

Në periudhën dimërore, muzeu mbetet aktiv duke organizuar aktivitete edukative për nxënësit e shkollave, sidomos gjatë muajve tetor dhe nëntor, në kuadër të festave kombëtare.

“Edhe pse janari është një muaj i qetë, kemi ende vizitorë të huaj që shfaqin interes për muzeun. Së fundmi kemi pritur një grup nga India, të cilët ishin të informuar për ekzistencën e muzeut dhe donin ta vizitonin. Ndërsa me afrimin e pranverës, fillojmë të presim grupmoshat e treta nga Greqia, të cilët kombinojnë vizitën e tyre me qëndrimin në Korfuz”, tregon Koçi.

Muzeu i Traditës, si pjesë e grupit muzeal të Sarandës, jo vetëm që pasuron ofertën kulturore të qytetit, por gjithashtu e bën atë një destinacion më tërheqës për turistët që kërkojnë të eksplorojnë historinë dhe kulturën shqiptare./euronews/ KultPlus.com

Të ngjajshme