30 Qershor, 2018 - 12:00 pm
Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.
“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.
Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.
Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.
Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.
Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.
Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.
Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.
Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.
Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com