13 Tetor, 2020 - 12:00 pm
Muzeu Britanik do t’i kthejë gjashtë pllakat e një kompleksi memorial mesjetar të qytetit uzbek Samarkand, që ishin sjellë në aeroportin “Heathrow” në një valixhe.
Njeriu i cili i kishte kontrabanduar nga Dubai në janar i kishte falsifikuar dokumentet duke i deklaruar ato si replika që ishin punuar “që të kenë pamjen e moçme”. Kishte falsifikuar një faturë përmes të cilës deklarohej se si ato ishin blerë në Sharjah një ditë më parë për rreth 70 funte. Në fakt, pllakat kanë vlerë më shumë se dhjetëra e mijëra funte dhe janë të rëndësishme për kulturën e vendit nga vijnë – Uzbekistani. Por, para se të rikthehen në vendin e origjinës, ato të do të ekspozohen.
John Simpson, kurator i ri në British Museum në Departamentin për Lindjen e Mesme, ka thënë se pllakat janë të jashtëzakonshme. “Ato janë shumë tërheqëse… Mund ta shihni se përse ato mund t’i tërheqin kriminelët”.
Pllakat ishin konfiskuar nga forcat kufitare të Britanisë së Madhe dhe si zakonisht, në raste kur ka dyshime për kontrabandime të sendeve antike, oficerët kishin kontaktuar muzeun për të treguar nëse pllakat ishin origjinale dhe nga vinin ato.
Në maj, Simpson kërkoi ndihmën e disa ekspertëve nga vende të Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe po ashtu të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë.
“Ishte shumë fantastike në këtë rast që të arrish të kontaktosh specialistë nga vende të ndryshme për një periudhë të shkurtër kohore, përkundër pandemisë globale”, ka thënë ai.
Pllakat “e punuara që të duken të vjetra” datojnë nga fundi i shekullit 13 dhe mesi i shekullit 14. Ato fillojnë me periudhën e vendosjes së etnisë khanate nën udhëheqjen e Chagatai Khan, djali i dytë i Chinggis Khanit, gjatë viteve 1227-1363.
Ato kanë tri ngjyra zmalti – e bardhë, bruztë dhe e kaltër kobalt – dhe secila ka mbishkrime kuranore, por vetëm njëra është e përfunduar. Specialistët nga Uzbekistani e kanë konfirmuar se pllakat vijnë nga kompleksi memorial Shah-i-Zinda afër Samarkandit. Ata kanë thënë se gjatë gjurmimeve arkeologjike dhe punimeve restauruese gjatë viteve 1996-2000 shumë artefakte nuk ishin listuar. Simpson ka thënë se “Shah-i-Zinda” ishte një kompleks varresh dhe monumentesh me rëndësi në historinë e Samarkandit, një vend i përfshirë në trashëgiminë botërore dhe një destinacion me rëndësi për turistët.
Plani është që pllakat të ekspozohen në muze nga dhjetori deri dy ose tre muaj para se të riatdhesohen në Uzbekistan. Simpson ka thënë se shumica e artefakteve kontrabandohen në çanta që janë më të sigurta për transportim, por jo në valixhe.
“Mendoj se natyra e pacipë tregon shkallën e krimit. Kanë menduar se mund të kalojnë lehtë. Nuk dihet nëse ia kanë dalë në të kaluarën, por çdo veprim i tillë dërgon një mesazh të fuqishëm te kriminelët – krimi nuk shpaguhet në këtë rast”.
Hartwig Fischer, drejtor i British Museum, ka thënë: “Identifikimi i objekteve kulturore të tregtuara në mënyrë të paligjshme është pjesë shumë e rëndësishme e punës së muzeut. Përgjatë viteve të fundit ne kemi ndihmuar në rikthimin e më shumë se 2 mijë e 500 objekteve në Irak, Afganistan, Uzbekistan dhe gjetkë”. “Ne punojmë së bashku me forcat e rendit, kolegë nga muzetë e tjerë, personel akademik dhe nga ambasada për ta limituar këtë trend të rrezikshëm dhe për ta garantuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore”.
Said Rustamov, ambasadori i Uzbekistanit në Britani të Madhe, ka shprehur mirënjohje ndaj muzeut dhe forcave britanike të rendit. “Ministria e Kulturës dhe organet e tjera qeveritare nga Uzbekistan do t’i forcojnë bashkëpunimet me Muzeun Britanik dhe forcat e rendit për ta luftuar tregtinë e paligjshme të artefakteve. Bashkëpunimi ynë i afërt do t’u japë një mesazh të fuqishëm trafikuesve të artefakteve”./Koha.net/ KultPlus.com