Muzeu Etnografik i Krujës në proces restaurimi, rihapet në tetor

7 Prill, 2022 - 11:43 am

Punimet restauruese në Muzeun Etnografik të Krujës vijojnë me ritmin e arritjes së objektivit për hapjen tetorin e ardhshëm.

Sipas projektit EU4Culture, qindra objekte janë duke u paketuar për t’u ruajtur në mënyrë të sigurtë, ndërsa punimet e konservimit të ndërtesës janë në vazhdim.

Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

“Kostoja e ndërhyrjes do të jetë 510 000 euro dhe muzeu do të hapet sërish për publikun e turistët tetorin e ardhshëm”, bën të ditur EU4Culture.

Punimet do të përfshijnë dyshemenë, çatinë, tavanin, të gjitha dyert dhe dritaret. Pjesë e punimeve restauruese do të jetë edhe pastrimi e forcimi i mobilieve dhe pikturat murale të shekullit të XVIII.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme