Muzeu Etnografik i Krujës: Përjetoni traditat me teknologjinë VR

23 Janar, 2025 - 2:30 pm

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Muzeu Etnografik i Krujës, duke përcjellë një ftesë për qytetarët për ta vizituar këtë atraksion kulturor.

Rama në postimin e tij në rrjetet sociale vë në dukje përdorimin e teknologjisë dhe inovacionit për ta shndërruar eksperiencën e vizitorëve në muze në një udhëtim të veçantë në kulturën dhe traditat e zonës.

“Me ftesën për të vizituar Muzeun Etnografik të Krujës, ku përmes instrumentit të ri të teknologjisë VR, mund të përjetoni një udhëtim përmes kulturës dhe traditave të zonës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Muzeu Etnografik i Krujës mbetet një pikë referimi për trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa pajisja me teknologji moderne VR shton mundësitë për një përvojë unike dhe interaktive për vizitorët.

I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Në mjediset e brendshme, si edhe tek objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës, duke filluar që 300 vjet përpara.

Ceremonia e rihapjes së Muzeut Etnografik në Krujë u zhvillua më 23 korrik të vitit 2024./ KultPlus.com

Të ngjajshme