16 Prill, 2019 - 3:51 pm
Arbër Selmani
Është një ndër komplekset më të vjetra në Prishtinë, ndërsa legjenda thotë se i pari i familjes aty ka qenë Emini. Emini, me shtat të vogël e trup thatanik, prej familjarëve dhe të tjerëve është quajtur me pjesën ledhatuese ‘gjik gjik gjik’, bash shkaku i trupit të shkurtër. Emini u bë Emin Gjiku, dhe kësisoj tërë kompleksit i mbeti ky emër.
Historinë e tregon Avni Emingjiku, i cili si 7 vjeçar, në vitin 1959 u largua nga ky kompleks.
Ky kompleks sot është pjesë e Qendrës Historike të Prishtinës, dikur e quajtur Çarshia, në të cilën është investuar pak në krahasim me rëndësinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore që kjo pjesë bartë me vete.
Nuk ka shenja se si të arrish deri atje, njëjtë siç shpesh gjen vetura që parkohen edhe jashtë kompleksit në parkingun e dedikuar për Muze, një mentalitet që nuk i ka hije shqiptarëve plot traditë. Traditë dhe kulturë është edhe Muzeu Etnologjik në Prishtinë, apo ndryshe i quajtur edhe Kompleksi Emin Gjiku.
Bekim Xhemili, pjesë e stafit të Muzeut, shndritë kur duhet të tregojë për Muzeun, i cili është pjesë e Muzeut të Kosovës por u pavarësua me objekt në vitin 2006. Saktësisht, Muzeu i cili sot gjendet i pari në listën e TripAdvisor në mesin e atraksioneve turistike në Kosovë dhe është i binjakëzuar me Cambridge Folk Museum – Muzeun e Folklorit në Kembrixh të Anglisë, u hap me 11 shtator 2006.
“Kur e kemi bo intervistën me Avniun, na ka tregu për këtë kompleks dhe për vazhdimësinë e historisë familjare. Tregimi shkon deri në tri gjenerata, që nuk mjafton për të ditur më shumë për historinë e kompleksit të vjetër 300 vjet. Gjyshi i Avniut, Hajrullahu – (hafëz) e ka ditë Kuranin përmendësh dhe ka pasur dy djem, Hetemin e Rexhepin (babai i Avniut), njëri berber e tjetri këpucëtar”.
“Kjo familje, në fillimin e viteve 40-të ka qenë një prej familjeve më të pasura në Prishtinë, dhe ka pasur në pronësi edhe prona tjera. Më pas familja e humbi primatin e familjes së pasur e të fuqishme ndërsa rreth viteve 1957-59 familja vendosë ta shesë kompleksin dhe shpërngulet për në Turqi. Që nga ajo kohë kompleksi është pronë e Muzeut të Kosovës. Thuhet se kontratën e ka nënshkruar vetë Fadil Hoxha, meqë ishte pronë me interes shtetëror, plot 21 ari” tregon tutje Bekimi.
I kthehemi më pas kësaj historie, për të kaluar pak në njerëzit dhe copëzat e tregimeve që i dhanë oksigjen e frymë jete Muzeut, i cili sot vizitohet prej 15-20 mijë vizitorëve në vit, me rreth 80 % të tyre turistë dhe vizitorë të huaj.
Ndryshe përjetohet çdo emocion kur je brenda Muzeut
Në librin e tyre me titull “Kosovo – the Bradt Travel Guide’ – një lloj guide për vendet që një turist duhet t’i vizitojë gjatë qëndrimit në Kosovë, autorët Verena Knaus dhe Gail Warrander e përmendin patjetër edhe Kompleksin Emin Gjiku. “Lejojani vetes së paku një orë për të shëtitur nëpër këtë kompleks ku vërehet ndikimi otoman” shkruajnë autorët në këtë libër. [i]
Nuk është më pak i veçantë tregimi i Elizabeth Gowing. E ardhur në Kosovë para disa vitesh si turiste, Gowing ende jeton në Kosovë, e mahnitur sidomos me Muzeun Etnologjik të Kosovës.
Sa për ta bërë edhe më pikante dashurinë e saj për Kosovën, ditëlindja e Elizabeth është me 28 nëntor – ditën kur shqiptarët gjithandej e festojnë shtetin shqiptar dhe flamurin me shqiponjë.
“Kur e kuptova këtë rastësi të bukur vendosa që me 28 nëntor 2006 ta festoj ditëlindjen në mënyrë më të madhe se zakonisht. Kam kërkue leje me e shfrytëzu hapësirën e Muzeut Etnologjik për një ndejë. Ka qenë një natë shumë e ftohtë dhe me mjegull, por kemi vendosur qirinjtë pranë shtegut që çon nga dyert e mëdha të Muzeut e deri te dhoma e zjarrit, ku kemi shërbye verë të nxehtë, dhe gjithçka ka qenë si përrallë” tregon Elizabeth.
Ajo ka punuar si vullnetare për dy vite në Muze, në aspektin e promovimit të tij dhe poashtu edhe si mësuese e gjuhës angleze. Elizabeth, ndër ato gratë e veçanta që nuk punon në asnjë projekt nëse nuk lë një copëz shpirti brenda, e përmendë Muzeun Etnologjik në katër libra të saj.
Një prej këtyre librave është edhe ‘Travels in Blood and Honey: Becoming a Beekeeper in Kosovo’.[ii]
“Muzeu Etnologjik është vendi im i preferuar në Prishtinë. Ndoshta jam personi i parë ndonjëherë që këtë pjesë të bukur e ka shfrytëzuar për festime ditëlindjesh (me përjashtim të familjes që ka jetuar aty)…..Po filloja të ndjeja se unë përkas këtu diku, në këtë pjesë të Evropës. Tash edhe po e ndjeja lidhjen e veçantë përtej Prishtinës” shkruan në këtë libër Elizabeth.
Ç’të bësh që Muzeu i tillë nuk ka as faqe personale/website online, në një kohë moderne, por megjithatë nuk e sheh këtë si problem. Kushdo që vjen në këtë Muze, mund të gjejë histori, kulturë, arkeologji, gjeografi, eksponate, vjetërsi që nuk bëhet asnjëherë e vjetër, retrospektivë e cila për fatin tonë është dokumentuar nga të gjallët e të vdekurit.
Bashkim Tejeci – filigranist nga Prizreni, tregon se Muzeu Etnologjik si i tillë është vlerë e shtetit dhe duhet ruajtur e besa besa brenda tij edhe duhet investuar. Bashkimi në rreth katër raste ka demonstruar zejen e filigranit – bashkë edhe me ekipin e tij, për vizitorët por edhe për ata që duan ta shohin filigranin duke marrë formën si foshnja e posalindur, brenda një objekti që është vatër meditimi edhe kur ka plot zhurmë, njerëz, histori edhe në ajër e sipërfaqe.
“Unë kam demonstruar disa herë në Muzeun Etnologjik, por edhe kam qenë në vizitë studimore në Kembrixh kur Muzeu Etnologjik është binjakëzuar me Muzeun në Kembrixh. Kemi shkëmbyer traditat dhe kulturat tona, duke i treguar anglezëve atje për traditat tona kombëtare dhe për filigranin si një karakteristikë e veçantë” tregon Tejeci, i cili vepron e jeton në Prizren.
Një muze i njohur ndërkombëtarisht, përzierja e disciplinave dhe historia që nuk bën të stagnojë
Muzeu etnologjik ose etnografik e nënkupton objektin në të cilin janë të konservuara dhe të ekspozuara artefaktet që dëshmojnë për trashëgiminë kulturore të një etnie a komuniteti. Ekzistenca e një muzeu të tillë sot është praktikë në shumë qytete të Evropës, ku nëpërmjet muzeve etnografikë u rikujtojnë banorëve veçoritë dhe mënyrën e jetesës së paraardhësve, siç edhe i njoftojnë vizitorët e huaj me tiparet dhe mënyrën tradicionale të jetesës në atë qytet. Përzgjedhja e artefakteve dhe eksponateve të veçanta identifikuese për banorët dhe jetën e tyre në një kohë të kaluar, të cilat janë të konservuara dhe të tubuara në një vend duke arritur ta improvizojnë të kaluarën si tërësi brenda një hapësire të vogël siç mund të jetë një shtëpi tradicionale, është një njoftim shumë lehtësues dhe konkret për të huajt që të marrin informacionin për qytetin, kulturën dhe banorët e tij në të kaluarën. Pra muzeu etnografik si tillë, ka dy role: kujtues e përkujtues për banorët vendas si edhe informues e turistik për vizitorët e huaj. Kështu na tregon Arbnora Dushi, folkloriste në Institutin Albanologjik në Prishtinë.
Bekimi, pjesë e Muzeut, na tregon tutje se si është i zhvilluar momentalisht Muzeu Etnologjik, në zemër të Prishtinës dhe i qasshëm për të gjithë ata që duan të kalojnë pak kohë duke u zhytur në etnologji, antropologji, mënyrë jetese të shqiptarëve ndër shekuj, eksponate, qypa e çardaka.
Kompleksi dikur ka qenë Muze i Natyrës, me kopsht zoologjik, me arusha e me ujqër e kafshë të tjera. Deri në vitin 2001, mbi 1 mijë eksponate të sektorit të natyrës i kanë lënë vendin renovimit të të dyja objekteve, që ekspozita pasuese të jetë në formën ideale për t`iu prezantuar vizitorëve.
Ndërtesa kryesore, ku gjendet ekspozita kryesore, ka gjashtë dhoma, dy korridore e dy çardaka. Ndërtesa përballë saj ka qenë e njohur si shtëpia e miqve – e mysafirëve, e ndërtuar kuptueshëm në stilin e ndërtesave osmane.
Shtëpia e miqve, të cilën e gjeni nëse futeni në Kompleks dhe shkoni deri në fund në anën e majtë, ka tri dhoma: dhoma e zjarrit është e para, aty ku edhe është përgatitur dhe është ngrënë ushqimi, aty ku sinijat e tepsijat janë prej bakri dhe janë përdorur dukshëm asokohe vetëm prej familjeve më të pasura dhe me një status më të lartë shoqëror. Janë dy hyrje, njëra për familjen dhe tjetra për mysafirët. Maxhja është shfrytëzuar për përgatitjen e ushqimit dhe pijeve.
Jashtë, në hyrjen tjetër me shkallë, është çardaku, afër pjesës në formën e verandës apo terracës. Brenda objektit, dhoma e grave dhe fëmijëve është shfrytëzuar kur gratë janë kujdesur për fëmijët e tyre. Dera e cila ndanë dhomën e fëmijëve – grave dhe dhomën e mysafirëve (oda e burrave) është punuar me lesh të lëkurës së dhisë, kjo për të ruajtur akustikën dhe larguar zhurmën si dhe për ta mbajtur ngrohtë shtëpinë gjatë dimrit, freskinë gjatë verës.
Dyert e vogla kanë qenë të tilla për shenjë respekti, sepse je përkulur për të dalë prej tyre dhe ke qenë i përkulur kur je futur në dhomën tjetër.
Kur u rrit numri i anëtarëve të kësaj familjeje e cila jetoi aty në shekullin 18, lindi nevoja edhe për objektin tjetër, në këtë rast objektin kryesor dhe ahrin që gjendet në anën e majtë në hyrje të Kompleksit.
Duke numëruar të gjitha objektet, janë rreth 12 dhoma që ekspozojnë histori, rreth 1400 eksponate që presin shpirtat kurioz për vizitë.
“Prania e këtij tip muzeu edhe në Prishtinë, siç është Muzeu Etnologjik, i jep një vulë identifikuese qytetit tonë, duke e bërë të paharrueshëm për vizitorët. Të paharrueshëm qytetin, jo Muzeun, sepse për një të huaj që e viziton Prishtinën dhe largohet, Muzeu mbetet kujtimi i tij për Prishtinën. Besoj e kuptoni sa është i rëndësishëm ky muze për trashëgiminë kulturore të Prishtinës në veçanti, dhe të Kosovës në përgjithësi” vazhdon Arbnora Dushi.
***
Me gjithë fjalët e mira për Muzeun Etnologjik, nevojën për ndryshime brenda tij bashkë me rritjen e përgjegjësisë duke qenë vendi më i vizituar në Prishtinë në fushën e trashëgimisë kulturore e tregon Dushi.
“Aty ku na shohin të tjerët pse të mos mundohemi të dukemi më së miri që mundemi? E ne mundemi. Një organizim për grumbullimin dhe blerjen e eksponateve, të cilat fatmirësisht mund të gjenden tek familjet apo artizanët në Prishtinë e në Kosovë, do t’i jepte më shumë ngjyra dhe shpirt Muzeut, por edhe do ta bënte më joshës dhe më reprezentativ para vizitorëve. Unë besoj shumë që ka edhe njerëz të vullnetit të mirë që do të ishin të gatshëm edhe të falnin eksponate, por kjo punë kërkon një organizim dhe përkushtim serioz për pasurimin e Muzeut me eksponate, të cilat do të shërbenin për pasurimin e tij me artefakte” përfundon Dushi.
“Dua që në këtë Muze të ketë më shumë risi e freski. Duhet të bëjmë çmos që të ekspozojmë gjërat e vjetra, të hulumtojmë edhe se si në treva të ndryshme punimet e vjetra të bakrit shiten si hekurishte, duhet më shumë eksponate dhe të mos jenë gjithmonë të njëjtat aty, duhet të sjellim qypa të rinj, valuta, eksponate. Në Kembrixh, prej kurgjofit krijonin diçka, ndërsa këtu i kemi vlerat por po punohet pak” tregon tutje Bashkimi – filigranist.
Bashkim Tejeci flet edhe për filigranin, për të cilin thotë se si zeje duhet ruajtur e duhet përkrahur edhe institucionalisht, meqë sipas tij pala serbe po e bën të pamundurën ta bëjë të sajën, por edhe ta zhdukë një pjesë të mirë të traditës e kulturës shqipe.
Duhet të kujtojmë këtu se sipas shënimeve, Koleksioni Arkeologjik dhe Etnologjik i Kosovës( 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike) vazhdon të mbahet në Serbi.[iii]
E gjithë bota zbarkon herët e vonë në Muzeun Etnologjik në Prishtinën simpatike
Te Muzeu Etnologjik nëpër vite është mbledhur histori. Pazari i Grave ose pazari i plaçkave dikur ishte traditë në qytete të ndryshme të Kosovës. Mbahej të martave, herë në hapësirat e garazheve të sotme të RTK-së e herë në brendi të lagjes në të djathtë të pikërisht Muzeut Etnologjik, e herë në hyrje të sokakut. [iv]
Bekimi nga Muzeu Etnologjik vazhdon të na tregojë tutje se si zhvillohet jeta brenda këtij Muzeu. Vizitorët vijnë nga të gjitha anët, prej Tajvanit e deri në Japoni, prej Kinës e deri në Malajzi, prej Signaporit e deri në Indonezi.
“Një pjesë e njerëzve që vijnë këtu, pos interesimit për etnokulturën e popullit të Kosovës në të kaluarën dhe sot, i kanë dy pyetje shtesë: cilat janë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, dhe a dëshirojnë kosovarët bashkimin me Shqipërinë. Ne që funksionojmë si Kustos – persona profesionistë që specializohen në fushë të caktuar – në këtë rast në etnologji, dhe mund të bëjnë studimin e interpretimin e eksponateve por edhe punën e ciceronit, dhe stafi që tani punon këtu me fuqinë më të madhe që gjithçka të dalë mirë, e shpjegojmë Muzeun edhe duke u bazuar në shtetin prej nga vijnë vizitorët” tregon Bekimi.
“Ne këtu flasim prej arkeologjisë deri te historia, gjeografia, popullata, mënyra e jetesës, pra jemi guidë më gjithëpërfshirëse. Prej këtu ne i shpjegojmë qytetet tjera, sado që kjo është e vështirë. Madje jemi një prej muzeve të vetme në rajon që funksionon me guidën e tillë, dhe jo me audio-guidë. Me ekspozitën tonë udhëtojmë bashkë me vizitorët duke folur për Evropën, Azinë, Afrikë, për lidhjen e kulturave, për diversitetin” vazhdon Bekimi.
Ndërtesa kryesore, ekspozita ku tregohet jeta, lindja, vdekja, kultura shpirtërore në tërësi, me rreth 60 % të eksponateve brenda tij, momentalisht është në renovim e sipër, edhepse viti 2018 e ka gjetur këtë ndërtesa jo-funksionale dhe punimet kanë ndaluar. E po në këtë ndërtesë flitet për Kosovën, rajonin, Ballkanin, gjatë periudhave të kaluara.
“Ka qenë e nevojshme të fillonte renovimi shkaku i fasadave, dritareve, drunjët dhe trajt është dashur të ndërroheshin sepse ka filluar kalbja edhe nuk ka qenë as vend i sigurt për turistët që vinin. Këto janë objekte që dëmtohen me kohën por duhet ruajtur” shton Bekim Xhemili.
Bekimi është etnolog dhe pjesë e Muzeut, krahas edhe Ilir Sopjanit, Erodita Qorkadiu – Haxhiut, Fatos Bimbashit dhe Anduena Balaj – Thaçit.
Elizabeth Gowing thotë se ky Muze, pa marrë parasysh zhagitjet e mëdha, investimet e vogla dhe mbarëvajtjen e tij, e ka vlerën e vet dhe rëndësinë jetike.
“Mundesh me mësu aty për domethënien e gjërave, dhe për kultura që pasqyrohet në të. Shembull, me e pa dhomën e mysafirëve në shtëpinë e vjetër, me qasje nga rruga, me pa vegëza ku varet arma (për shkak që mysafirët mbesin nën mbrojtjen e zotit të shpisë), dera e vogël ku mysafirët duhet me e ulë kokën për me hy brenda ose mangalli ku zoti i shtëpisë e ndezë cigaren… Mundesh me mësue shumë ma shumë për mikpritjen tradicionale dhe rolet e njerëzve prej këtyre gjërave dhe vizitës në Muze sesa nga një libër” thotë Gowing.
Gjatë verës, Muzeu bëhet edhe më i bukur. Oborri jashtë reflekton gjelbrim. E meqë Prishtinës i mungojnë hapësirat e gjelbërta në qendër të qytetit, është kënaqësi për secilin e secilën që ta vizitojë Muzeun dhe të ulet nën arrë, e të pushojë. Tregojnë se në këtë oborr njerëzit vijnë të shkruajnë poezi, të pikturojnë, të bëjnë ushtrime yoga e të meditojnë, në çdo stinë e mundësi, në këtë pjesë të qytetit ku zogjtë janë jehona e vetme kumbuese që e kap veshi.
Shumë ngjarje nëpër vite kanë ndodhur në këtë Muze, të cilat veç sa ia kanë shtuar rëndësinë dhe dashurinë e publikut. Ngjarje të ndryshme artistike e kulturore mbahen edhe sot.
Këngëtarja Elina Duni, shembull, në vitin 2016-të pati një mbrëmje muzikore në Muzeun Etnologjik në kuadër të KAEF.
Po këtu u mbajtën edhe “Java e Artizanateve”, “Rrëfimtari popullor”, një shfaqje e regjisorit Bekim Lumi, “Gatimet tradicionale” apo edhe “Konkursi për fotografi të muzeut”.
Arbnora Dushi e kujton edhe një ngjarje tjetër. Instituti Albanologjik, në bashkëpunim me Komisionin ndërkombëtar të Baladës me qendër në Aberdeen të Skocisë, patën organizuar në vitin 2015 Konferencën e 45’të të Baladës. Ishin diku rreth tridhjetë pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës dhe për katër ditë u zhvilluan seanca akademike në sallën e Institutit. Komisioni ndërkombëtar i baladës, të cilët organizonin konferenca të këtilla për çdo vit në vende të ndryshme të botës, e kishin praktikë në kuadër të aktivitetit social të organizonin një mbrëmje të quajtur “Nata e baladave”, ku secili pjesëmarrës i konferencës i këndonte baladat e kulturës së vet.
“Atë vit, ne që ishim vendi nikoqir, për “Natën e baladave” vendosëm të zhvendosemi nga Instituti në Muzeun Etnologjik, ku përpos baladave të njëri tjetrit studiuesit e huaj, bashkë edhe me studiuesit shqiptarë që morën pjesë në atë konferencë, patën rastin të vizitojnë Muzeun, të relaksohen në oborrin e rregulluar të tij si dhe – më e bukura e asaj mbrëmjeje, të shijojnë ushqimet tona tradicionale, ku dy zonja nikoqire nga Muzeu, që mbanin veshje kombëtare, për mysafirët, i përgatitën aty pitet e flijat me saç, duke performuar kështu mikpritjen shqiptare krahas gastronomisë me recetat tradicionale” kujton Dushi.
Më mirë se çdo material a dorëshkrim tjetër, një vizitë në Muzeun Etnologjik do ta shuaj kureshtjen e secilit, një mënyrë tjetër për ta mbajtur gjallë njohurinë për traditën dhe kulturën e popullit dhe të parëve tanë.
( Ky botim është prodhuar me përkrahjen e
Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër
Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit
Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )
[i] https://www.amazon.com/Kosovo-2nd-Bradt-Travel-Guide/dp/1841623318
[ii] http://www.elizabethgowing.com/pb/wp_f504d6c9/wp_f504d6c9.html
[iii] https://www.kultplus.com/trashegimia/disa-pjese-te-veshjeve-popullore-qe-jane-pjese-e-trashegimise-se-luajtshme-te-muzeut-te-kosoves-foto/
[iv] https://www.kultplus.com/trashegimia/pazari-grave-te-martat-dhe-ardhja-e-janjevalive-foto/