26 Shkurt, 2025 - 12:59 pm
Muzeu Hebraik në Vlorë do të jetë institucioni më i ri i kujtesës, ku do të prezantohet një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve.
Godina ku do jetë Muzeu Hebraik është një ndërtim i fundshekullit të XIX dhe ndodhet në Qendrën Historike të Vlorës.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi tha në një intervistë për ATSH-në se “ky muze do të jetë një pol i ri kryesor kulturor në qytet”.
“Ky muze i ri do të ndikojë edhe në rritjen e vizitueshmërisë së muzeumeve dhe vetë zonës historike të qytetit, ku ndodhen edhe dy muzeume të tjerë, Muzeu Historik dhe ai Etnografik. Në qytetin tonë ndodhet edhe Muzeu kombëtar i Pavarësisë që çdo vit tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj”, tha Feimi.
Sipas tij, punimet për realizimin e muzeut pritet të fillojnë në fund të muajit shkurt ose në ditët e para të marsit.
“Është ngritur kantieri i ndërtimit për zbatimin e punimeve, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore në raport me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe procedurave të ndjekura nga DRKK Vlorë si dhe është lidhur kontrata mes subjektit zbatues dhe Fondit Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit AADF. Fondi për realizimin e këtij projekti pritet të shkojë në 280 milionë lekë”, theksoi Feimi.
Ky projekt ambicioz u hartua nga firma fituese nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel -Avivi i Izraelit.
Feimi bën të ditur se “punimet kanë një afat prej 20 muajsh sipas grafikut të miratuar dhe pritet të realizohen brenda tij”.
Ky muze do të rrëfejë një histori shekullore bashkëjetese mes shqiptarëve dhe popullsisë hebreje, por edhe do të kthehet në një qendër që gjeneron dialog mbi tolerancën dhe mirëkuptimin mes popujve.
“Në këtë muze ajo që është më kryesorja për t’u përfshirë është bashkëjetesa e popullit hebre me popullin shqiptar, besa që kemi lidhur ndaj njëri-tjetrin në kohëra të vështira të këtij populli siç është periudha e Holokaustit, që do të jenë të prezantuara në muze nëpërmjet videopamjeve, fotografive të asaj kohe, objekteve që i disponojnë familjet. Muzealizimi është një proces që është marrë drejtpërdrejt AADF për Muzeun Hebraik”, tha Feimi.
Feimi bën të ditur se “në sheshin “Besa” që ndodhet para muzeut do të ketë një strukturë paralele në krah, që do të jetë hyrja për ne muze si dhe një instalacion të një tuneli prej xhami ku do të ekspozohen objekte muzeale”.
Më ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, për sa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.
Historiku i hebrenjve në qytetin e Vlorës
Përgjegjësi i Muzeumeve në bashkinë e Vlorës, Skënder Spahiu tha për ATSH-në se “Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë”.
“Në muzetë e Vlorës gjenden stela varri, orendi dhe sende të përdorimit të përditshëm të dhuruara nga ky komunitet para se të largoheshin nga Vlora”, tha Spahiu.
Spahiu tregon se “në Vlorë ardhja e hebrenjve fillon me një anije tregtarësh të këtij komuniteti e zënë nga stuhia në det e futur në gjirin e Vlorës dhe ankoruar në zonën e Triportit, Zvërnec në periudhën e antikitetit dhe vendosja e tyre në qytetin e Vlorës. Ardhja e dytë është gjatë luftës në Spanjë dhe u rrit numri i hebrenjve jo vetëm në Vlorë dhe fshatrat e saj, por duke filluar nga Saranda deri në Shkodër. Ardhja e tretë i përket luftës së Dytë Botërore”.
Ai shprehet se “bashkëjetesa dhe besa e shqiptarëve e shpëtoi këtë komunitet gjatë arrestimeve të nazistëve. Në këtë periudhë në Vlorë u arrestuan dhe internuan në Kampet e Përqendrimit rreth 620 burra, djem dhe gra dhe në këtë listë nuk kishte asnjë pjesëtar të këtij komuniteti. Gjatë dhe mbas pushtimit Osman ky komunitet e ruajti besimin e tij fetar u integrua me zakonet, traditat, gjuhën dhe u pajisën me letërnjoftim (pasaporta) shqiptare. Mbas përfundimit të luftës së Dytë Botërore jeta dhe veprimtaria e tyre vazhdoi njëjtë me popullsinë vendase, u shkolluan në sistemin tonë arsimor në fusha të ndryshme dhe mbas viteve ’90 u larguan nga Vlora në Izrael, Korfuz e në vende të tjera të Evropës”.
“Në qytetin e Vlorës ka ekzistuar një sinagog, si dhe kanë vendvarrosjen ku etiketohet si (Varri i Çifutit). Gjithashtu në lagjen ku kanë jetuar, Ministria e Kulturës i ka vendosur emrin “Rruga e Hebrenjve”, ku banesat janë të stilit hebraik”, tha Spahiu./ KultPlus.com