26 Gusht, 2022 - 8:14 pm
Muzeu Hebraik Shqiptar, i pari në llojin e vet që po merr jetë në Vlorë, do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e Qendrës Historike, por mbi të gjitha për të rinjtë, të cilëve do u dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Margariti tha se arkitektet e studios “Kimmel – Eshkolot” po përpunojnë detajet estetike të muzeut, për t’i dhënë atij një vend, në hartën e ndërtesave bashkëkohore të shekullit të ri, në Shqipëri.
Muzeu Hebraik Shqiptar vjen në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF)
“Ai do të jetë një muze që do t’u flasë brezave për vlerat tona më të mira, që lidhen me besën, sakrificën, mikpritjen, që nuk ndalet në Luftën II Botërore, por në thelbin e të qenurit shqiptar”, u shpreh ministrja Margariti.
Për projektin e këtij muzeu konkuruan 5 studio arkitekture nga më prestigjiozet, nga Izraeli, Austria, Gjermania e Italia, por projekti fitues u shpall ai i studios “Kimmel – Eshkolot” nga Tel-Avivi./ATA/ /KultPlus.com