1 Gusht, 2017 - 2:13 pm
Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.
“Temperaturat e larta dhe vetë sezoni i pushimeve, nuk kanë të bëjnë me reduktimin e orëve të punës në këtë institucion. Përkundrazi, që nga fillimi i sezonit turistik në 15 maj e deri në përfundim të tij në 15 tetor, orët e punës në Muzeun Historik Kombëtar janë shtuar. Kjo do të thotë që askush që ka dëshirë ta vizitojë atë të mos stepet nga ideja e ditëve të pushimit javor apo të orëve pushim ndërmjet turneve. Muzeu është i hapur dhe aktiv përgjatë gjithë ditëve nga ora 09.00 e mëngjesit e deri në 19.00 të pasdites”, thuhet në njoftimin e MHK-së në rrjetin social Facebook.
Sipas MHK, natyrisht kësaj atmosfere i shtohet dhe iniciativa më e re, ajo e komunikimit online.
“Eja në muze për t’u njohur me thesare kulturore”, është një program që fton çdo të interesuar jo vetëm fizikisht në pavijonet e këtij Muzeu. Përkundrazi, materialet e trajtuara në këtë hapësirë muzeale vijnë tek çdokush nëpërmjet komunikimit onine.
“Në faqen e tij zyrtare, por dhe me atë të rrjeteve sociale, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë aktiv në paraqitjen e informacioneve të zgjeruara. Kjo nuk do të kushtëzohet me aktivitete që zhvillohen brenda këtij institucioni, por dhe ato që kanë të bëjnë me çështjet historike, pra asaj që tanimë jemi mësuar t’i themi: informacion mbi trashëgiminë kulturore”, thekson MHK.
Larmia e objekteve të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një itenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë nga antikiteti e deri në ditët tona.
“Postimet do të marrin më shumë vlerë dhe nga fotot përkatëse me të cilat do të shoqërohet çdo informacion i kualifikuar. Dhe kjo përcjellje informacioni nuk do të reshtë asnjëherë. Muzeu Historik Kombëtar nuk mund të shihet thjesht një objekt atraktiv sa i takon arkitekturës, por vetë madhështisë që mbart vlerat historike të një kombi të lashtë. Në zemër të Tiranës, ai përthith disa mijëra vizitorë në vit. Ndërkohë që është shndërruar në një vendtakim seminaresh me nxënës, studentë, e profesionishtë të fushës”, thuhet në njoftimin e MHK-së.
Muzeu Historik Kombëtar
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit ”Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkelogjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte.
Ndër koleksionet më me vlerë të këtij seksioni janë ato që evidentojnë periudhën arkaike dhe periudhën protourbane ilire të kulturës shqiptare. Në pavionin e Periudhës Mesjetare, me më shumë se 300 objekte, realizohet dokumentimi i procesit historik të vijëmësisë iliro-shqiptare. Koleksioni i objekteve të periudhës Mesjetare përfshin: emblema heraldike të princërve shqiptarë, kolona të katedraleve të shkatërruara, relieve dhe ikona të ikonografëve më të mëdhenj shqiptarë si Onufri (Shek. XVI), David Selenica dhe Kostandin Shpataraku i shek. XIII.
Një objekt tepër i çmuar është epitafi i Glavenicës, punuar me ar nga një princ Shqiptar i shek. XIV, Gjergj Arianiti. Koleksionit të kësaj periudhe i është shtuar dhe pavioni i ri i ikonave qe ka në përmbajtjen e vet një ikonostas nga Elbasani dhe 50 ikona të marra nga koleksioni i Institutit të Monumenteve të Kulturës e të mbledhura nga objekte e kultit gjatë 50 vjetëve të fundit në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Pavionet e tjera përmbajnë dokumente e dëshmi të periudhave të tjera si p.sh. të rezistencës kombëtare shqiptare, të Pavarësisë dhe themelimit të shtetit Shqiptar, etj./ KultPlus.com