9 Janar, 2025 - 10:00 am
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit që lamë pas priti më shumë se 35 mijë vizitorë vendas e të huaj.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili bëri publike këtë shifër përmes rrjeteve sociale, tha se ky muze është një nga hapësirat më të bukura muzeore dhe një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.
Filo bën të ditur se të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ditët e para të këtij viti, të cilët janë mrekulluar nga objektet e ekspozuara në këtë muze.
Në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar gjenden mbi 7000 ikona kulti dhe arti, kryesisht ikona të krijuara në Mesjetën e Hershme.
Kjo qendër muzeore, që është një nga më të rëndësishmet në vend, u përurua më 24 prill 1980. MKAM ka 4 pavijone, disa laboratorë ekzaminimi dhe konservimi si dhe mjedise të fondeve.
Në sallën e ekspozitës së përhershme gjenden rreth 200 objekte arti. Ky muze është unik në llojin e vet në rajonin e Ballkanit, për sa i përket fondit që disponon, i vlerësuar nga profesionistët e huaj për punën që bëhet për ruajtjen e ikonave, në kushte ideale, profesionale dhe të standardeve botërore./ KultPlus.com