5 Tetor, 2018 - 3:08 pm
Muzeu i kristaleve dhe mineraleve që ndodhet në Stantërg të Mitrovicës ka rreth 2 mijë eksponate të cilat janë ndër më uniket në Evropë, shumë të çmueshme në botë, ndërsa kanë vlerë jashtëzakonisht të lartë trashëgimore muzeore.
Ky muze që konsiderohet si krenaria e Kosovës për bukuritë e kristaleve dhe mineraleve të llojeve të ndryshme, është themeluar në vitin 1964 dhe ka përjetuar situata të vështira të objekteve të vjetra nëpër periudha kohore, por që në vitin 2012 me fonde të Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndërtuar objekti modern i këtij muzeu.
Drejtori i Muzeut të kristaleve dhe mineraleve, Rasim Veseli, ka bërë të ditur për KosovaPress se nga rreth 2 mijë eksponate të ekspozuara nga minerale të ndryshme, 95 për qind të tyre janë të minierës së Trepçës, ndërsa ka edhe nga Portugalia, Maroku, Brazili, Japonia dhe vende tjera të botës.
Sipas tij, Kosova duhet të krenohet me vlerën e trashëgimisë minerare që ka.
Ai ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë më shumë rreth marketingut për këtë trashëgimi minerare të Kosovës.
Veseli duke përmendur numrin prej 5 mijë vizitorëve në vit, u shpreh të mos jetë i kënaqur, sepse siç u shpreh ai, ky muze duhet të jetë akoma më shumë i vizituar.
“Vlera është muzeore dhe shumë e lartë. Eksponatet, kristalet dhe mineralet e Trepçës janë ndër më unike në Evropë, janë shumë të çmueshme në botë, do të thotë nuk flasim për vlerë financiare por trashëgimore muzeore. Kosova duhet me u krenu me vlerën e trashëgimisë minerare që ka. Unë mendoj se institucionet tona, në radhë të parë Ministria të cilës ne i përgjigjemi ajo e Zhvillimit Ekonomik, por edhe qeveria në përgjithësi, duhet të bëjë më shumë për të bërë marketing rreth kësaj trashëgimie minerare që ka Kosova… Unë kam filluar punën këtu para tre vitesh, dhe atëherë numri i vizitorëve ka qenë rreth 3mijë në vit. Aktualisht numri i vizitorëve ka shkuar duke u rritur, tani përafërsisht vinë deri në 5 mijë vizitorë në vit. Është numër jo i kënaqshëm sepse mendoj se ky muze duhet të jetë shumë më i vizituar, dhe synimet tona janë që numri i vizitorëve të rritet dhe për me mund me rrit ë numrin e vizitorëve duhet të krijohen kushte për një marketing më të mirë”, thotë ai.
Ai tha se janë gjithsej tetë të punësuar në muze dhe punohet pesë ditë në javë, duke mos u kufizuar as gjatë vikendeve në rastet e vizitave të paralajmëruara.
Në lidhje me kristalet që dalin nga miniera ilegalisht dhe në tregun e zi, Veseli potencoi se po punohet për gjetjen e mënyrave ligjore të nxjerrjes, grumbullimit dhe koleksionimit të shitjes ose shkëmbimit të mineraleve dhe kristaleve.
Sipas informacioneve të të parit të muzeut, numri i kristaleve dhe mineraleve që dalin nga miniera në tregun e zi është jashtëzakonisht i madh dhe bëhet fjalë për dhjetëra kristale që dalin brenda një dite nga miniera e Trepçës, duke përfunduar kështu në tregun e zi.
“Ideja është që secili kristal që del nga miniera e Trepçës ose nga vendburime tjera minerare në Kosovë, me pas një dokumentacion të caktuar ligjor me të cilin vërtetohet prejardhja… Informacionet tona janë se numri i kristaleve dhe mineraleve që dalin nga miniera në tregun e zi është jashtëzakonisht i madh. Mund të flitet për dhjetëra kristale që dalin brenda një dite nga miniera e Trepçës dhe përfundojnë në tregun e zi. Për pasojë ndodhë që llojin e eksponatit që ne e kemi këtu, të jetë më i varfër se sa eksponati që shitet në tregun e zi ose që mund ta gjejmë nëpër muzetë e vendeve tjera… Një çështje tjetër me të cilën ne po tentojmë vazhdimisht të merremi është edhe mënyra e prezantimit e kristaleve dhe mineraleve të Trepçës nëpër muzetë e huaja… Ka raste nëpër muzetë e caktuara ku mineralet tona prezantohen si minerale të Jugosllavisë ose edhe më keq si minerale të Serbisë. Ne kemi filluar të bëjmë një plan së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me organizmat tjerë shtetëror të cilat merren me këtë çështje që të ndikojnë nëpër këto muze që të emërtohet ashtu siç duhet, do të thotë si kristale të Trepçës që vinë nga shteti i Republikës së Kosovës”, u shpreh Veseli.
Në anën tjetër, inxhinieri i gjeologjisë Ibrahim Musa, njëherësh ciceron në këtë muze, ka folur për grupet e mineraleve të ekspozuara, disa prej të cilave tha se janë shumë të çmueshme dhe të shtrenjta.
“Kemi grupe të ndryshme të mineraleve, grupi i sulfureve, karbonateve, sulfateve, fosfateve etj…Minerali kryesor është galeniti që është mineral i plumbit, është ndër mineralet më të rëndësishme për shkak se përmban shumë argjend dhe bizmut, svaleriti është mineral i zinkut piriti dhe pirotinet janë minerale të hekurit. Këto janë katër mineralet kryesore… Kemi edhe minerale të çmuara siç janë vivianiti dhe lludoniti janë fosfate të hekurit por shumë të çmueshme do të thotë janë shumë të shtrenjta”, sqaroi Musa.