11 Qershor, 2021 - 1:40 pm
Komuna e San Paolo Albanese, në provincën e Potenza, ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Ministria e Kulturës në Itali për projektin “Muzeu i Kulturës Arbëreshe”.
Në edicionin e VII të “Premio Nazionale del Paesaggio del Consiglio d’Europa” (Çmimi Kombëtar të peizazhit të Këshillit të Evropës), mbajtur marsin e kaluar, projekti i komunës së San Paolo Albanese, la gjurmët e tij për sa i përket shtjellimit dhe përmbajtjes midis 96 projekteve të paraqitura nga e gjithë Italia.
Komisioni ministror, i cili vlerësoi projektin u shpreh se përpjekjet për të ruajtur identitetin duhen vlerësuar: “Përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë pasqyrohen në menaxhimin e territorit dhe hapësirave publike, duke e bërë ekomuzumin një pajisje me vlerë të lartë socio-kulturore dhe një referencë që të tregoi jetën e përditshme të qytetarëve ”.
Certifikata, e nënshkruar nga Ministri Dario Franceschini, iu dorëzua Komunës së San Paolo Albanese ditët e fundit, pasi nuk ishte e mundur të organizohej dorëzimi i çmimit si pjesë e ceremonisë së zakonshme të dhënies në ambientet e Ministrisë për shkak të pandemisë dhe protokolleve ende në fuqi.
Një çmim që sjell kënaqësi, por edhe shumë përgjegjësi, një angazhim për të vazhduar dhe për tú përmirësuar: “Kënaqësia është e lartë pasi është rezultat i një përkushtimi të madh ndër vite – nënvizon Mose ‘Antonio Troiano, kryetari i San Poalo Albanese – jo vetëm nga ana ime, sidomos nga administratorët që më paraprinë nga vitet e themelimit të Muzeut të Kulturës Arbëreshe e deri më sot”. Shumë aktivitete socio-kulturore të kryera në dekadat e kaluara kanë kontribuar në marrjen e këtij rezultati të shkëlqyeshëm. “Sigurisht që angazhimi nuk përfundon, tradita do të vazhdojë të ruajë këtë veçori, jo vetëm sepse është pjesë e kulturës dhe traditave tona, por sepse duhet të jetë një vlerë etnodemoantropologjike për brezat e ardhshëm”.
Muzeu u krijua, në përputhje me Statutin e Komunës për mbështetjen e kulturës: Këshilli Bashkiak i San Paolo Albanese me rezolutën nr. 84 të datës 13.04.1984 vuri në funksion ripërdorimin e ndërtesave të vjetra të pabanuara në qendrën historike të qytetit, në të cilën janë vendosur mikro-mjedise me mbetjet materiale të kulturës lokale; mjetet, materialet, produktet dhe mënyrat e transformimit të objekteve ndër vit. Një muze që dokumenton kulturën e një populli i cili u strehua në këto vende në fillim të shekullit XVI, pas pushtimit osman në Shqipëri dhe Greqi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com