6 Shkurt, 2021 - 3:28 pm
“Muzeu i ri Etnografik është pjesë e projektit prej katër muzesh që do t’i shtohen ofertës turistike të Gjirokastrës, së bashku me Muzeun Kadare, Muzeun e Armëve dhe Muzeun e Burgut të Kalasë. Falë projekteve të arkitektit të famshëm spanjoll Jesus Hernandez (autor i Muzeut Marubi në Shkodër), këto hapësira do të marrin një jetë të re”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e këtij muzeu.
Kryeministri Rama tha se “muzeu do të transformohet komplet nga pikëpamja muzeale. Edhe shtëpia e Kadaresë do kalojë në një muzealizim komplet. Muzeu Etnografik do jetë një muze që do të ketë përmasë kombëtare siç është muzeu i Marubit dhe ai Mesjetar në Korçë”, – theksoi Rama.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Golemi tha se “jemi në vazhdën e ndërhyrjeve në rrjetin muzeal. Kjo zonë ka marrë qasje tjetër që me ndërhyrjet që do bëhen, ka edhe hotele me standarde vërtet të larta”.
Inxhinieri i firmës që po kryen punimet u shpreh se “ky muze do të kthehet në një muze të hapur, pasi do të ketë pika qëndrimi ku njerëzit mund të qëndrojnë, të lexojnë. Është pjesë e ndërhyrjeve të programit të financuar nga kredia e Bankës Botërore për zhvillimin urban e turistik”.
Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj në çdo stinë. Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit. Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme./ata/ KultPlus.com