Muzeu i ri i Përmetit, pasuri e çmuar për qytetin

19 Tetor, 2022 - 9:00 am

Muzeu i ri i Përmetit është një nga investimet e reja të bashkisë, muze i cili me shumë pak fonde është kthyer në një pasuri të çmuar të qytetit.

Gjatë vizitës së tij në Përmet, Kryeministri Edi Rama u ndal dhe në muzeun e transformuar tërësisht. “Kjo ka qenë më shumë si depo dhe bashkia e ka marrë dhe e ka kthyer në muze”, – u shpreh Mirela Kumbaro.

Muzeu është një destinacion i rëndësishëm në qytet, që jo vetëm është kthyer në atraksion, por dhe në burim dijeje për më të rinjtë e qytetit, duke nxjerrë në pah dinjitetin e një komuniteti njerëzish të kulturuar.

“Stafi ka bërë një punë shumë të mirë, dua ta theksoj këtë dhe t’i komplimentoj. Është ndjekur e gjithë procedura bashkë me stafin që ka punuar. Kjo ka qenë problematika kryesore në fillim, që të mund të quhej muze, ka një sërë rregullash, kështu që bashkia ka bërë një punë fantastike, e gjitha me forcat e veta dhe kanë aplikuar edhe në fondet IPA”, – tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Për krijimi e muzeut është bashkëpunuar edhe me Arkivin e Shtetit, ku shumë dokumente të periudhës së Rilindjes Kombëtare janë sjellë për t’u pasqyruar në këtë muze.

Kryeministri Rama u shpreh se “muzeu i ri i Përmetit është një nga punët vendore më prekëse që kam parë në këto vite, sepse është një muze tejet modest, i bërë me shumë pak para, po ku është investuar një dëshirë e jashtëzakonshme për të nxjerrë në pah dinjitetin e një komuniteti njerëzish të urtë, punëtorë, të kulturuar e plot respekt dhe krenari për traditën e tyre, si përmetarët”. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme