Muzeu “Kadare” në Gjirokastër, qendër e aktiviteteve kulturore në stinën e Dimrit

21 Dhjetor, 2024 - 12:30 pm

Përgjatë stinës së Dimrit muzeu “Kadare” në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të mirëpresë vizitorë. Kjo qendër shërben edhe për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.

Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe është pikë referimi jo vetëm për turistët por edhe shkrimtarët, studiuesit, etj. të cilët promovojnë libra dhe botime të ndryshme.

“Edhe pse jemi në sezonin e Dimrit, banesa “Kadare” vazhdon të ketë jo vetëm turistë, por edhe aktivitete të shumta kulturore, sot kemi fatin që të kemi promovimin e dy shkrimtarëve të njohur Shpëtim Emiri dhe Ksenofon Krisafi , gjatë gjithë kohës këtu janë bërë aktivitete sidomos sezonin e Dimrit  dhe do të vazhdojnë të bëhen aktivitete të tilla ku në bazë të tyre kanë kulturën”, thotë Alban Matushi, përgjegjësi i muzeut.

Studiuesi Ksenofon Krisafi ka përmbledhur në një libër kujtimet e ish-mësuesve dhe ish-nxënësve të gjimnazit “Asim Zeneli” në 100-vjetorin e çeljes së kësaj shkolle botim që u promovua në mjediset e Muzeut “Kadare”.

“Unë kam patur rastin të jem marrë me disa funksione të caktuara dhe kam takuar njerëz të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës dhe sa ju thoja që jam shqiptar nga Ismail Kadreja më thonin kështu që të vish tek shtëpia e Ismail Kadaresë, të vish tek ky tempull i veçantë që përfaqëson një vatër të rëndësishme kulture, qytetarie, emancipimi, jo vetëm për Gjirokastrën por për tërë Shqipërinë, ndoshta edhe më gjerë, është një privilegj, është një nder. kjo është arsyeja që ne sot jemi tek shtëpia e Kadaresë dhe që e zgjodhëm  këtë për të promovuar  këtë libër”.

Aktivitete kulturore që zhvillohen në Muzeun “Kadare” promovojnë jetën dhe aktivitetin e shkrimtarit të njohur por shërbejnë edhe për gjallërimin e jetës kulturore në qytetin e gurta në stinën e dimrit.

“Mendoj se këto aktivitete i shërbejnë të gjithëve, i shërbejnë edhe banesës Kadare që është në funksion të turizmit, promovimit të tij por edhe vetë autorëve që kjo banesë e Kadaresë ju krijon mundësinë e një aktiviteti sa më të mirë dhe sa më të pranueshëm për gjithë letrarët”, shton Matushi.

Shkrimtari Ismail Kadare, një pjesë të rëndësishme të veprës letrare ja ka dedikuar vendlindjes, qytetit të Gjirokastrës./klanhd/ KultPlus.com

Të ngjajshme