20 Shkurt, 2025 - 3:00 pm
Muzeu “Marubi” dhe Galeria e Artit Tiranë do të bëhen bashkë për të sjellë një ekspozitë të jashtëzakonshme me imazhet e dinastisë Marubi, në 100 vjet jetë të kësaj studioje fotografike.
Ekspozita do të çelet në mjediset e GAT-it, më 27 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë dy muajve, deri më 27 prill 2025. Ajo do të përmbajë një përzgjedhje imazhesh nga arkiva (1865-1959), me mbi 150 mijë xhama negativë të Muzeut Kombëtar Marubi, Shkodër.
Ekspozita “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” është e kuruar nga Kim Knoppers. Në ekspozitë, për herë të parë do të shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e autorëve të njohur Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe të cilat në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019.
Muzeu Kombëtar “Marubi” e konsideron këtë si një moment të veçantë për të shfaqur trashëgiminë e Marubëve, dhe një mundësi të rrallë për t’u zhytur në botën e imazheve që kanë dokumentuar historinë tonë. “Marubi” ftoi të apasionuarit pas fotografisë të mos e humbasin këtë mundësi të veçantë./ KultPlus.com