18 Mars, 2021 - 3:38 pm
Dosja “Marubi në Unesco” është gati.
Puna dy vjeçare është finalizuar dhe muzeu kombëtar i fotografisë, synon që brenda 1 viti të marrë përgjigjen pozitive për t’u njohur si trashëgimi botërore.
“Jemi shpresë plotë që kjo aspiratë e jona do të çelë dyer të reja. Patjetër që është një sfidë që po fillon, pra thjesht kemi përfunduar hartimin e dosjes. Ne besojmë fort që Shqipëria ka ende shumë për të treguar. Për ne kjo është mbi të gjitha një ushtrim i parë i njohjes së vetvetes,” u shpreh ministrja e kulturës Elva Margariti.
Drejtuesit e projektit, tregojnë se puna voluminoze është shoqëruar me konsultime dhe përfshirjen e ekspertëve vendas e të huaj, me qëllim që çdo fakt i paraqitur të jetë bindës.
“Jam shumë entuziast dhe në një ditë do jemi këtu kur ta shikojmë, qytetarët do jenë këtu. Kjo është patjetër një punë që i mbetet përjetë muzeut edhe Shkodrës në tërësi,” tha drejtori i muzeut “Marubi” Luçjan Bedeni.
‘Foto-Studio Marubi’, u themelua në vitin 1856 nga Pietro Marubi, ndërsa sot si muze kombëtar ka si pasuri rreth 500,000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme, që dokumentojnë ngjarje, personazhe e fakte interesante të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com