Muzeu i Kosovës, nikoqir i konferencës ‘Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit’

1 Qershor, 2018 - 5:03 pm

Alberina Haxhijaj

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, sot në 1 qershor Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, UNDP dhe IOM, kanë përgatitur konferencë dhe punëtori edukative.
Në konferencën me temë “Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit” u kërkuan investime sa më të mëdha në edukimin e fëmijëve dhe ofrimi i një jete sa më cilësore, shkruan KultPlus.

Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kërkoi që për fëmijë të diskutohet edhe të punohet çdo ditë.

“Ajo për të cilën ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje është që të krijojmë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët tanë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm që kemi probleme dhe sfida por jemi të vendosur që të mos ndalemi para këtyre sfidave. Ne kemi nevojë për më shumë hapësira e sidomos për kopshte dhe çerdhe ku fëmijët tanë që në moshë të hershme të kenë qasje në edukim”, u shpreh ai.

Tutje Bytyqi tha se të gjitha institucioneve në Kosovë iu mbetet që të bëjnë maksimumin dhe të krijojnë kushte dhe hapësira për edukim sa më të mirë të fëmijëve, e në këtë mision ai tha se duhet që të ndihmojnë edhe edukatorët, prindërit dhe e gjithë shoqëria.

Deputeti Ismail Kurteshi tha se Komisioni Parlamentar në Kuvendin e Kosovës do të angazhohet që ti bëjë ligjet më të mira për fëmijët por edhe që të bëhet presion në Qeveri dhe në institucione përkatëse që të punohet së bashku për një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Ndërsa Drejtori i Muzeut të Kosovës – Skendër Boshtrakaj tha se muzeu vazhdon që në agjendën e tij të ketë prioritet fëmijët.
“Ne jemi muze i vogël i një vendi të vogël dhe një muze si ky nuk mundet me bo shumë, me e ndrru imazhin e vendit, me siguru të hyra të mëdha si sigurojnë muzetë nëpër botë. Mirëpo, ajo që mundemi është me i hapë dyert për gjeneratën e re, që kjo gjeneratë me e pasë një institucion të vetin ku mirëpritet dhe ku ndodhin çdo ditë aktivitete që janë të dizajnuara për këtë gjeneratë. Në këtë drejtim Muzeu i Kosovës ka shumë programe për fëmijë dhe ju ftojmë që të bëheni pjesë e tyre”, tha ai.

Shefja e Misionit e IOM-it Tajma Kurt tha se kjo është një festë shumë e veçantë për fëmijët dhe po mbahet po ashtu në një vend të veçantë dhe të dashur për ta.

Ndërsa Udhëheqësi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandão Có, tha se shënimi i kësaj dite e cila festohet në gjithë botën na bën që të kujtojmë rolin e rëndësishëm që ka investimi në fëmijë.
“Investimi më i mirë që mund të bëni në shoqëri është investimi në edukimin e fëmijëve sepse gjëja më e mirë është një fillim i mirë edukues për fëmijët”, tha ai duke shtuar se do të vazhdojnë punën e tyre së bashku me institucionet e Kosovës për të siguruar arsim kualitativ për çdo fëmijë.

Sot në tërë Kosovën përmes aktiviteteve të ndryshme po shënohet 1 qershori, Dita e Fëmijëve.
Ndërsa në Muzeun e Kosovës fëmijët pjesëmarrës do të kenë mundësi të lënë gjurmët e tyre duke ndihmuar në realizimin e projektit “Qytetet e Paqes” që udhëhiqet nga Ellen Frenk. / KultPlus.com

Të ngjajshme