Muzeu i Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve

17 Prill, 2018 - 4:00 pm

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, me temë: “Trashëgimia ndër gjenerata”, Muzeu i Kosovës, do të organizojë aktivitetin edukativ mbi kujtesën e lojërave të vjetra popullore, të quajtur “Lojërat e Gjyshërve tanë”.

“Lojërat popullore kanë qenë periudha kohore me të cilat të gjithë bashkëbiseduesit i tregojnë me kënaqësi emocionale, prandaj ne do të mundohemi të marrim për sipër që këto lojëra t’i rikthejmë tek nipërit dhe mbesat tona. Pra, do jetë një ditë e veçantë në Muzeun e Kosovës, ku fëmijët mund të argëtohen, duke përvetësuar dhe zhvilluar lojëra nëpër lagjet e tyre”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Muzeu i Kosovës.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve mbahet më 18 prill çdo vit rreth botës, me lloje të ndryshme të aktiviteteve, duke përfshirë vizita në monumente dhe objekte të trashëgimisë, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe artikuj të ndryshëm në gazeta.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve u propozua nga Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS) më 18 prill 1982 dhe u miratua nga asambleja e përgjithshme e UNESCO-s në vitin 1983.

Qëllimi është që të promovojë ndërgjegjësimin në lidhje me diversitetin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, cenueshmërisë së tyre dhe të bëhen përpjekjet e nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre.

Kjo do të jetë agjenda e organizimeve të Muzeut të Kosovës, në Lapidariumin e Muzeut, për të shënuar këtë ditë:

10:00h – 10:15h Fillimi i aktivitetit “Trashëgimia ndër gjenerata”,
10:15h – 10:30h Performimi i lojërave popullore nga fëmijët me gjyshër
10:30h – 12: 00h Muzeu kreativ
12:00h – 13:00h Ushqim tradicional në sofër
14:00h – 14:15h Ardhja e banorëve të Shtëpisë së Pleqve,
14:30h – 16:00h Diskutim për lojërat popullore dhe trashëgimin kulturore,
16:00h – 17:00h Ushqim tradicional në sofër
. /KultPlus.com

Të ngjajshme