18 Maj, 2018 - 5:21 pm
Alberina Haxhijaj
Dita Ndërkombëtare e Muzeve e cila shënohet sot në gjithë botën, në më shumë se 35 mijë muze dhe në 157 vende të botës është shënuar edhe në Muzeun e Kosovës.
Për të shënuar këtë ditë të parët që vizituan muzeun ishin fëmijët të cilët mësuan më shumë për teknikat e kaligrafisë, ikonografisë dhe manuskripteve, diçka që është e veçantë për Kosovën pasi fëmijët jo çdo herë kanë mundësinë që të shohin sesi punohet me fleta të arit.
Alisa Gojani-Berisha nga Muzeu i Kosovës tha se ideja e promovimit të muzeve ka të bëjë me faktin që gjeneratat e reja të inspirohen me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe ta përcjellin këtë edhe në gjeneratat tjera.
“Sivjet tema e festimit ka qenë “Muzetë e ndërlidhur, qasje të reja, publik i ri” dhe ne kemi shfrytëzuar rastin që pasi po dëshirojmë që të ndërrojmë konceptin e prezantimit në Muzeun e Kosovës, të sjellim aktivitete të ndryshme. Pra jo vetëm përmes ekspozitave por edhe përmes aktiviteteve në mënyrë që grupmoshat e ndryshme të mësojnë më shumë për trashëgiminë e Kosovës”, tha ajo për KultPlus.
Tutje Alisa tregon se aktivitetet të cilat po ndodhin sot janë të lidhura edhe me projektin “Qytetet e Paqes” e që udhëhiqet nga Elllen Frenk. Ajo është duke realizuar një pikturë e cila përmban hartën e Prishtinës mbi të cilën janë duke u bërë punime të cilat janë bazuar në punimet nga filigrani. Kështu sipas saj bazuar në faktin që projekti “Qytetet e Paqes” po zhvillohet në Muze, Muzeu ka vendosur që në këtë ditë të promovojë edukimin përmes paqes.
Ellen Frank tregoi për KultPlus se është shumë e lumtur që i është dhënë mundësia që të gjithë fëmijët dhe të rriturit që do të jenë sot pjesë e aktiviteteve të lënë gjurmët e tyre në punimin e saj.
“Sot jam shumë e lumtur pasintë gjithë që po marrin pjesë në aktivitetet e muzeut po ashtu po lënë gjurmët e tyre edhe në pikturën time. Ajo që më bëri sot më shumë të lumtur është fakti se pati shumë fëmijë dhe të gjithë ngjitën disa copëza ngjyrë argjendi e copëza ngjyrë ari në punimin tim”, u shpreh ajo për KultPlus.
Artistja Ellen Frank është duke bërë një punim të veçantë i cili shpalosë kulturën e Kosovës, punim i cili më pas do të prezantohet edhe në Amerikë në kuadër të projektit “Qytetet e Paqes”.
Sot gjatë gjithë ditës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në këtë muze në Prishtinë do të ketë aktivitete të ndryshme. / KultPlus.com