4 Janar, 2025 - 9:30 am
Interesi i turistëve vendas e të huaj për Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat nuk ka reshtur as në këtë fillimviti.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, deklaroi për ATSH-në se “Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” ka hapur dyert që në datën 1 janar për vizitorët vendas dhe ata të huaj që zgjodhën të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri”.
“Në tri ditët e para të janarit ky muze u vizitua nga 250 vizitorë, ku vetëm ditën e djeshme pati 200. Vizitorët kryesisht janë vendas, por nga të huajt ishin kryesisht italianë dhe austriakë”, tha Pasku.
Vizitorët pas vizitës në muzeun që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI kanë lënë përshtypjet e tyre në librin e vizitorëve.
Drejtori Pasku bëri të ditur se “gjatë vitit 2024 ky muze u vizitua nga mbi 105 mijë vizitorë vendas e të huaj, duke shënuar një rritje me 40% krahasuar me 2023. Vizitorët e huaj që kanë shfaqur interes për këtë muze kanë qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.”.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike./ KultPlus.com