Muzeu “Shtëpia me Gjethe”: 237 hebrenj u strehuan në Shqipëri deri në vitin 1954

27 Janar, 2024 - 12:30 pm

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qindra hebrenj u strehuan në Shqipëri për një periudhë të gjatë, edhe përgjatë kohës së pushtimit të Shqipërisë nga forcat naziste.

Në përkujtim të kësaj dite, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, ka publikuar dokumente dhe foto arkivore të cilat dëshmojnë që hebrenjtë që jetonin në vendin tonë, provuan të njëjtat vuajtje sikurse dhe populli shqiptar.

Pushtuesit gjermanë kërkuan regjistrimin dhe raportimin e tyre, por shteti shqiptar i asaj kohe veproi ndryshe nga vendet e tjera, si Polonia apo Greqia, duke mos marrë masa shtrënguese kundrejt tyre, por duke i mbrojtur ata.

Gjatë periudhës së komunizmit, pati disa përpjekje nga UNRRA për riatdhesimin e hebrenjve të cilët ende jetonin në vendin tonë, dhe ndonëse disa prej tyre u riatdhesuan, ky proces u ndal përfundimisht në vitin 1946.

“Dokumentet arkivore tregojnë se deri në vitin 1954 në Shqipëri gjendeshin 237 hebrenj, më së shumti në Tiranë dhe në qytetin e Vlorës, numër ky, i cili u reduktua në 92 hebrenj, në vitin 1961. Pjesa e mbetur e tyre provoi të njëjtat vuajtje sikurse dhe populli shqiptar dhe u mbajtën nën një kontroll të rreptë e rigoroz, siç cilësohet dhe në direktivat agjenturore të vitit 1953”, thekson Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Dëshmi e këtij regjimi të rreptë është dhe rasti i Emil Blast. Hebreu i lindur në Berlin në 1886-ën, i cili erdhi në Shqipëri, në vitin 1937, por 8 vite më vonë, më 27 janar 1945, u arrestua si “armik i popullit” dhe u cilësua “agjent progjerman”.

U arrestua në një moshë të thyer dhe në gjendje shëndetësore të rënduar ndaj për këtë arsye pjesën më të madhe të dënimit ai e kaloi në spitalin e burgut, ku ndërroi jetë më 13 maj 1948. / KultPlus.com

Të ngjajshme