Myftiu i Tiranës mohon se u mbulua shtatorja e Skënderbeut

1 Shtator, 2017 - 7:35 pm

Lutja e mëngjesit e festës së besimtarëve myslimanë “Kurban Bajramit”, edhe këtë vit u fal në sheshin “Skënderbe” në Tiranë, në pritje të përfundimit të Xhamisë së Namazgjasë, e cila për nga madhësia e saj pritet të shmangë faljet në shesh të besimtarëve shqiptarë.

Më shumë sesa simbolika e kësaj dite të veçantë për besimtarët, zëri është ngritur për atë që po konsiderohet skandal, dhe që ka të bëjë me ‘mbulimin’ nga një monitor, të bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të vendosur në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Në një reagim nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, situata duket krejt ndryshe. Gurra thotë se vendosja e monitorit është bërë 10 metra larg monumentit të Skënderbeut, dhe nuk ka asnjë qëllim për të mbuluar imazhin e tij, të konsideruar dhe të pranuar si hero të kombit, edhe nga ana e myslimanëve.

“Është absurde, është gjëja më non sens që mund të ndodhte nëse ka njeri në komunitet që mendon se në rastet e një falje të Bajramit do të çonim nëpërmed të mbuluarit e bustit, çfarëdo busti, siç është ai i heroit kombëtar”, – shprehet ai.

Sa i përket idhujtarisë, Myftiu sqaron se në rastet e faljes së namazit në shtëpi, “është e këshillueshme, e sugjerueshme që të mos ketë pamje frymore, (një portret -njeriu ose kafshe) por kjo nuk përjashton në mënyrë kategorike të mos mbajturit e tyre.

Sipas Myftiut të Tiranës e gjithë kjo krijohet për efekt të përçarjes së besimtarëve.

“Ushqyerja e ndasisë, e urrejtjes, sado minimale të jetë është nga rreziqet më fatale, më goditëse. Urrejtje fetare të këtij lloji, në këtë mënyrë, kaq shpejt dhe kaq shumë në lidhje me Bajramin, nuk ka pasur ndonjëherë”, – përfundoi për Myftiu i Tiranës Ylli Gurra. / KultPlus.com

Të ngjajshme