16 Gusht, 2017 - 4:19 pm
E nisëm dje një shkrim për mësuesen e njohur dhe një edukuese gjeneratash në Kosovë, Nadire Didën.
Dida, kjo grua e madhe e shqiptarëve, ishte e martuar me Sedat Didën. Sedati, kryeredaktor i Rilindjes, gjatë jetës së tij u burgos disa herë prej regjimit të asaj kohe.
Mësuesja Nadire jo gjithmonë ka qenë e heshtur dhe e bindur para regjimit që nuk e la rahat burrin dhe bashkëudhëtarin e jetës së saj.
“Sedatin e dënuan me 5 vjet burgim të rëndë. Tashti shkova te Fadil Hoxha. Pas një pritjeje, hyra Brenda. Po, nuk më la të flisja fare, më tha me zë të ulët: Nadire, për Sedatin dorën e fus në zjarr, po unë jam kurkushi!” tregon mësuesja në librin ku e rrëfen historinë e saj, “Ecje nëpër kujtesë” nga Sanije Gashi.
Burgosja e Sedatit në Beograd ishte ndoshta kulmi i padrejtësive. Hoxha i jep mësueses një emër i cili do të mund të ndihmonte në këtë proces. Emri ishte: Nenad Prvanoviq.
Mësuesja shkon në Beograd, në zyrën e këtij avokati, me idenë se do ti shkonte deri në fund kësaj pune, për ta liruar burrin e saj i cili me të tjerë po akuzohej për spiunazh kundër Jugosllavisë, shkruan KultPlus.
“Nuk doja të kthehesha pa kryer punë. Këmbëngula të shkoja vetë te Rankoviqi! Më thanë jo shko andej, jo këtej, por unë shkova te njëfarë shefi i UDB-së….. Rankoviqi, ulur në krye. U ula në ndenjësen karshi, pa u trembur fare. Në një zarf kisha marrë me vete disa dokumente…. Rankoviqi, pasi më shikoi më tha “Rastin e kemi të njohur, ai është liruar”. Mund të ktheheni bashkë në shtëpi!” vazhdon tregimin mësuesja.
Sedati vuajti 33 muaj në burg, 27 prej të cilëve në vetmi. Bashkëshortja e tij nuk u dorëzua kurrë, dhe historia lartë e tregon më së miri dashurinë e saj. / KultPlus.com