NASA në kërkim të një gruaje për në Mars

17 Mars, 2019 - 3:30 pm

Gjurma e parë njerëzore në Mars mund të jetë ajo e një gruaje, gjithashtu edhe rikthimi në Hënë, njoftoi administratori i NASA-s, Jim Bridenstine duke folur për të ardhmen e eksplorimit të hapësirës.

 “Ne mezi presim të shohim edhe gruan e parë në Hënë,” shtoi Bridenstine.

Në intervistë, numri një i agjencisë hapësinore të SHBA-së gjithashtu tha se shumë shpejt do të  ketë dhe një shëtitje të parë hapësinore vetëm për gratë, e planifikuar për më 29 mars, jashtë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, (ISS).

Vetëm pak ditë më parë, NASA ka bërë me dije se synon të zbarkojë sërish në hënë.

Këtë herë, megjithatë, për të qëndruar atje i mbështetur nga një buxhet prej 21 miliardë dollarësh, të destinuara për NASA-n nga qeveria federale amerikane për vitin 2020, Bridenstine njoftoi hapat e ardhshëm në eksplorimin e Hënës dhe Marsit, me programin #Moon2Mars.

NASA, së bashku me agjencitë hapësinore nga Europa, Kanadaja, Japonia dhe Rusia dhe me ndihmën e individëve privatë, do të ndërtojnë në orbitë një stacion hapësinor rreth Hënës.

E  para që ka fluturuar në hapësirë ka qenë kozmonautja sovjetike, Valentina Tereshkova, e cila në qershor të vitit 1963 realizoi 49 orbita tokësore, gjatë gati tre ditëve të misionit. / KultPlus.com

Të ngjajshme