29 Qershor, 2023 - 9:55 pm
Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme pamje nga nata e pestë e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.
“Artistët që sollën vlerat e traditës muzikore të Shkodrës e Fierit, u ngjitën në skenë në natën e pestë magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Gjirokastra muzeale e traditave dhe kulturës shekullore, po mikpret prej disa ditësh Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili është rikthyer pas 8 viteve nën simbolikën e valltarëve të lidhur dorë për dore, në Kalanë e gurtë, të zbukuruar dhe gjallëruar në këtë natë, si kurrë më parë nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, do të mbahet për 8 net në kalanë e Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të aksesohet falas.
Festivali po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës, e shndërruar në zemrën e Festivalit, me vizitorë të shumtë, artistë popullorë, artizanë, si dhe artëdashës të të gjitha moshave, të mbledhur së bashku për të shijuar një nga eventet më të mëdha të muzikës dhe valles tradicionale shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale./atsh/KultPlus.com