4 Gusht, 2018 - 11:30 am
Edicioni rus i revistës prestigjioze të udhëtimit “National Geographic” ka shpallur konkursin për çmimin “Traveler” 2018. Ndër finalistet për kategoritë e ndryshme të listuara, renditet edhe Shqipëria, e cila kryeson ndër destinacionet që duhen vizituar në fillim të vitit.
“Shqipëria shumë rrallë na del përpara, saqë shumë njerëz harrojnë për ekzistencën e këtij shteti në Ballkan. Por në Shqipëri ka shumë peizazhe interesante. Për shembull, ia vlen të vizitosh Beratin me kishat dhe xhamit e tij të lashta, kështjellën e Rozafës pranë Shkodrës, manastirin në Ardenicë dhe liqenet në Parkun Kombëtar të Lurës”, shkruan National Geographic.
Bashkë me Shqipërinë, finalistet në këtë kategori përfshijnë edhe Bahrainin, Islandën, Japoninë dhe Katarin.
Ndërkohë në kategorinë për pushimet më të mira në plazh përfshihen Mali i Zi, Spanja, Vietnami, Sri Lanka dhe Republika Domenikane. Në kategorinë pushime me familjen finalistet janë: Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Greqia, Turqia dhe Tailanda.
Vitin e kaluar, “National Geographic” listoi vendin tonë mes 21 destinacioneve më të mira që duhen ndjekur në vitin 2018. (scan)