16 Maj, 2019 - 2:46 pm
Raif Qela, ish i burgosur, i cili ka ndarë edhe dhomën me Ukshin Hotin ka ndarë me ndjekësit e ti, kohën kur edhe e kanë marë gardianët Ukshin Hotin, para 20 viteve më parë, shkruan KultPlus.
“E parandiente se do t’i ndodhte më e keqja”, ka shkruar mes të tjerash Qela. Më poshtë e keni reagimin e plotë të tij.
Sot 20 vjet më parë, më 16 maj 1999, në burgun e Dubravës, gardienët e nxorën nga dhoma e burgut prof. Ukshin Hotin, kinse për ta liruar.
Kjo ndodhi tri ditë para bombardimit të burgut nga NATO-ja dhe para masakrës së Dubravës.
Arritëm të përshëndetemi me Bacën Ukë (me sa më kujtohet) vetëm tetë veta: shokët e dhomës dhe unë e Bajrush Xhemaili nga dhomat aty afër.
E parandiente se do t’i ndodhte më e keqja.
Disa herë e kemi pas biseduar me të, por si t’ia bënte! Nuk mund të rezistonte askush që të mbetej në burg kur të kalonte dënimi…
Më 17 maj 1994 ishte burgosur.
Më 16 maj 1999 ishte ditë e diel. Të nesërmen i përfundonte dënimi, jo më 16 maj.
Kurrë nuk kam dëgjuar (gjatë qëndrimit tim në burg më shumë se 14 vjet) se dikë e kanë liruar të dielave…
E morën për të mos e lënë të kishte hise në rrjedhat e së ardhmes…
Kam pasur fatin të jem me të në dhomë vetë i treti për 9 muaj më 1994/95 në burgun e Dubravës dhe më 1999 rreth dy muaj në Mitrovicë të Sremit, pastaj na transferuan në Nish (tri ditë), para se të na bënin mish për top në Dubravë.
Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit!/KultPlus.com