5 Qershor, 2024 - 10:31 pm
Specialistët e DRTK Berat kanë nisur një ndërhyrje emergjente për riparimin e çatisë në kishën e Shën Marisë në Sinjë. Kisha është shpallur Monument Kulture, Kategoria I.
Pas riparimit të saj do të kryhet edhe pastrimi i vegjetacionit në zonën përreth duke i shërbyer turizmit të zonës.
Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tri krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.
Ndërsa ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë; tre dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër, edhe hyrja kryesore ndodhet në anën lindore një flegërshe me hapje nga brenda po prej druri duke u paraprirë nga një derë prej hekuri.
Në anën jugure ndodhet një portë dy flegërsh e bllokuar nga brenda me një mur dhe jo më funksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit. Hapësira e brendshme e kishës është e vogel dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor.
Kisha e Sinjës është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Kulturës më 2015. atsh/A.K./TemA/ KultPlus.com